Ngjarje

Vritet në atentat 40-vjeçari Entjan Nikulaj në Lezhë, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt. Dyshohet për hakmarrje

Gazeta Si - Qyteti i Lezhës është tronditur nga një atentat me armë zjarri, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri 40- vjeçari Entjan Nikulaj, (Eno), djali i xhaxhait të Ardjan Nikulajt, i cili u ekzekutua më 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin në vijimësi të një sage gjakmarrjeje.

Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 21:30 minuta të së shtunës ( 2 dhjetor 2023) në dalje të qytetit të Lezhës, përballë ujësjellësit.

40-vjeçari po udhëtonte me makinë, kur në drejtim të tij u qëllua me breshëri kallashnikovi. Autorët lëviznin po ashtu me makinë.

Sipas burimeeve policore, të paktën 25 gëzhoja kallashnikovi janë gjetur në vendin ku mbeti i vrarë 40-vjeçarit.

“Në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga Entjan Nikulaj, 40 vjeç, banues në Shëngjin. Për këtë ngjarje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore. Ndërkohë, vijon intensivisht kontrolli i zonës”, thuhej në njoftimin e parë të Policisë së Lezhës.

Mjeti në fjalë, një BMW me targa të vjedhura, u gjet në flakë pak kohë më pas në Rinas. Brenda makinës autoritetet gjetën po ashtu edhe dy armë zjarri.

Shkaqet e këtij atentati nuk dihen ende. Dyshimet e para janë se vrasja e tij mund të vijë si pasojë e hakmarrjes, megjithatë deri më tani policia ka qenë e rezervuar për të dhënë një pistë konkrete.

Entjan Nikulaj ishte djali i xhaxhait të biznesmenit Ardian Nikulaj. Ky i fundit u ekzekutua në lokalin e tij në Shëngjin më 19 prill të këtij vitit.

Hetimet në këtë rast dolën në konkluzionin se biznesmeni u vra si pasojë e hasmërisë 26-vjeçare mes fisit Nikulaj dhe atij Lekstakaj.

Ndërkohë, më 19 korrik po të këtij viti, i ekzekutuar me armë zjarri në Lezhë mbeti Nikolin Lekstakaj, i cili dyshohet se u ekzekutua për morive hakmarrjeje sipas policisë.

Nisur nga historiku i vrasjeve mes dy fiseve një pistë që dyshohet se ka sjellë ekzekutimin e Entjan Nikulajt është gjakmarrja.

Mesditën e 19 prillit, biznesmeni Ardian Nikulaj u qëllua me 7 plumba teksa ishte ulur në lokalin e tij, ndërsa eklzekutori u largua me motor. Sipas prokurorisë Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit ndaj biznesmnit Nikulaj, për hakmarrje.

Katër personat që u kapën dhe u arrestuan në Britani, pasi u shpallën në kërkim në Shqipëri janë Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, të dy nga Bristol, Edmond Haxhia, 37 vjeç, nga Birmingham, si dhe 27-vjeçarja Harriet Bridgeman nga Bristol.

Ata kishin mbërritur në Shqipëri si turistë por në fakt kanë bërë rolin e vëzhguesit të biznesmenit duke informuar autorin deri në goditjen finale.

Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, ku mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë