Mentor Kasa – Moti i keq nuk e ndali protestën e banorëve të zonës së “Unazës së Re”, të cilët këtë të diel ndryshuan sloganet. Në tubimin e zhvilluar para Gjykatës së Tiranës, kërkesës së tyre për të mos iu prishur ndërtesat iu shtua ajo për lirimin e protestuesve të ndaluar gjatë përplasjeve të dhunshme me policinë ditën e enjte.
Protestës së paralajmëruar dukej se i mungonte organizimi. Një pjesë e banorëve u mblodhën në anën e përparme të godinës së Gjykatës për Krimet e Rënda në Tiranë dhe sapo morën vesh që tubimi kishte nisur pas kësaj godine u zhvendosën menjëherë duke u bashkuar me pjesën tjetër.
Në ballë të protestës qëndronin familjarët e personave të arrestuar. Thirrjet “Lironi djemtë tanë!” dhe “Nuk jemi kriminelë!” karakterizonin protestën, por menjëherë kur protestuesit morën vesh se për disa prej të ndaluarve ishte kërkuar masa e sigurisë “arrest me burg”, nuk munguan as parrullat “Qeveri e krimit!”, “Gjykatë e korruptuar!” dhe “Jo vendime politike!”.
Pavarësisht protestës dhe thirrjeve të banorëve, në sallën e seancave prokuroria kërkonte lënien në burg për Fluturim Kolecin, Marsel Velillarin, Dorian Protoduarin, Ruzhdi Dacin, Amarildo Sinanajn dhe Shpatin Bilbilajn, ndërsa për Erald Muçajn, Ali Naliçin, Alban e Paolo Ahmetcenaj dhe Lulzim Dozhanin atë të detyrimit për t’u paraqitur. Sipas organit të akuzës, personat e akuzuar janë identifikuar nga ana e policisë përmes filmimeve të shumta në dhunën e ushtruar ndaj uniformave blu.

45-vjeçari Lulzim Dozhani u ndalua ditën e enjte me bashkëshorten e tij, Erjona dhe në dëshminë e dhënë para gjykatës akuzoi policinë për dhunë.
“Nuk shkoja dot të merrja djalin 7 vjeç nga shkolla. Nuk na kanë lënë të komunikojmë me askënd. Djali është kthyer nga shkolla dhe e ka gjetur shtëpinë mbyllur. Është ushqyer tek fqinjët, ndërsa ne na kanë tërhequr zvarrë nëpër komisariate e burgje”, tha Dozhani.
Një tjetër episod i asaj të enjteje u regjistrua në Spitalin e Traumës, kur Ilias Sketiraj hodhi një këpucë në drejtim të Kryeministrit Edi Rama në momentin që ky i fundit po përpiqej të jepte një prononcim për mediat pasi vizitoi efektivët e lënduar. Sketiraj akuzon policinë se i kanë dhunuar djalin e tij gjatë protestave kundër shembjes së shtëpisë së tyre. Gjykata vendosi për të masën “arrest me burg” për një muaj.
Mes protestuesve para gjykatës në këtë të dielë me shi ndodhej edhe bashkëshortja e tij. Ajo përsërit akuzën se policia i ka dhunuar djalin dhe bashkëshortin dhe pohoi se shtëpia e tyre është në proces legalizimi dhe se kanë paguar të gjitha detyrimet e taksat që rrjedhin për të.
Në protestën ku kërkohej lirimi i të ndaluarve merrte pjesë edhe një e moshuar.
Ajo sfidoi shiun dhe qëndroi për disa momente me pjesën tjetër, deri kur frika për djalin dhe mosha e detyruan që të largohej për t’u qetësuar diku.
Pak momente me banorët u mblodhën edhe deputetët të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ata përsëritën mbështetjen e opozitës ndaj kauzës së protestës dhe më pas u zhvendosën nga ana tjetër e godinës për të hyrë në sallën ku zhvilloheshin seancat.
Këtu nuk munguan incidentet. Policia kishte vendosur një kordon para hyrjes qendrore dhe u kërkoi ligjvënësve që të prisnin sapo të merrnin një konfirmim për t’i lejuar që të hynin. Por, duke këmbëngulur me statusin e deputetit, Ervin Salianji dhe Edi Paloka thanë se nuk kishte pse të pritej konfirmimi, pasi ligji ua lejonte që të hynin brenda.

Drejtuesit e policisë u tërhoqën dhe lejuan deputetët e PD e LSI-së që të hyjnë brenda, deri tek Romeo Gurakuqi. Kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 2017, edhe pse me statusin e kolegëve të tij që kaluan, nuk u lejua nga ana e uniformave blu, që ‘nuk e njohën’, megjithëse shoqëruesit e tij përsërisnin vazhdimisht se edhe ai ishte deputet. Gurakuqi u detyrua që të tregojë një dokument për të vazhduar pas Salianjit e Palokës në sallën e seancave ndaj 11 të arrestuarve.
Nga brenda seancës, Ervin Salianji publikoi për ndjekësit e tij në rrjetet sociale dy foto me një mbishkrim ku akuzonte prokurorinë se po kërkonte arrest me burg për të ndaluarit, edhe pse nuk kishte prova.
“Prokuroria po kërkon burg duke paraqitur si provë materiale, 5 materiale plastike (bidona), dy pankarta letre dhe dy ristela mbajtëse”, shkruan ai.

Duket se provat e prokurorisë nuk bindën gjykatën që të jepte masën e ‘arrestit me burg’ për gjashtë persona, aq sa kërkoi organi i akuzës. Në fund, gjykata vendosi detyrim paraqitjeje për 10 prej të ndaluarve dhe la në burg vetëm Dorian Protoduarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




