Lojëra me Dore

Partizani fiton Superkupën e Shqipërisë në basketboll femra, Flamurtari bie në shtesë

Gazeta Si – Partizani në basketboll për femra ka shtuar edhe një trofe në palmaresin e tij. Skuadra kryeqytetase mundi Flamurtarin në sallën olimpike ‘Feti Borova’, në ndeshjen e Superkupës, duke bërë të vetin trofeun për herë të dytë në histori.

Ishte një ndeshje mjaft e fortë, e hapur deri në fund. Skuadra fituese u vendos nga shtesat, çka tregon qartë rivalitetin e madh në parket. Partizani në fund triumfoi me rezultatin e ngushtë 77-74.

Nisja ishte më e mirë për Flamurtarin, që e fitoi periodën e parë 16-10. E dyta ishte e barabartë, 19-19, me vlonjatet që kryesonin 35-29 në pushim. Më pas Flamurtari kaloi një moment të vështirë dhe Partizani përmbysi rezultatin në 46-44 pas periodës së tretë. Në periodën e fundit Flamurtari barazoi gjithçka në 60-60.

U deshën shtesa për të përcaktuar fituesin dhe Partizani ia doli ta mbyllte ndeshjen 77-74. Kapitenia e Partizanit, Ornela Lalaj, e mori trofeun e Superkupës nga presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë