Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në gjyq dosjen për ish-inspektorin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Ilir Kapetani.
Ai dyshohet si i përfshirë në raste korruptive me trashëgimtarë të ish pronarëve, të cilëve gjatë kërkesave të bëra për kthimin dhe kompensimin e pronave, u premtonte zgjidhje në këmbim të shumave të parave.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, për këtë procedim penal është provuar se, i pandehuri Ilir Kapetani, Specialist i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të parregullta, në formën e shumave monetare, nga qytetarë të ndryshëm dhe nga trashëgimtarë të ish pronarëve, në këmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës”, – thotë SPAK në njoftimin për mediat.
I pandehuri Ilir Kapetani është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndërkohë, të pandehurit D.L., A.G., D.D., V.Z., I.L., XH.V., G.T., L.A., J.Z., A.H., V.B., I.K., R.M., L.B., M.I., Y.N. dhe M.SH, të cilët janë subjektet që kanë dhënë përfitimet e paligjshme, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të kësaj çështje penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




