Drejtësia

E fshehu në formularin e dekriminalizimit, kryebashkiaku socialist i Kuçovës Kreshnik Hajdari ka qenë i dënuar në Greqi

Gazeta Si – Kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari rrezikon shkarkimin nga detyra, pasi ka qenë i dënuar nga drejtësia greke, por e ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit.

Vendimi për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, është dhënë në vitin 1999 nga Gjykata Penale e Janinës.

Hajdari është shpallur fajtor për kalim të paligjshëm të kufirit në vitin 1999 në moshë të mitur dhe ndaj tij u vendos “masa riedukuese e qortimit”.

Gjykata e Janinës e ka gjetur fajtor dhe ka dënuar Hajdarin fillimisht me 4 muaj burgim dhe më pas ia ka konvertuar këtë dënim me 1.500 dhrami, monedhë që në atë periudhë përdorej në Greqi para hedhjes në treg të euros.

Në përgjigje që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Hajdari është dënuar me dënim të formës së prerë.

“Rezulton të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë Nr. 3286/23-6-1999, nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë/Gjykata Penale me Një Anëtar, e cila ka vendosur: Në prani të të pandehurve …14) Hajdari Kreshnik, i biri i RIZA dhe i HALIME, i lindur më 29-7- 1982 në Berat, Shqipëri, puntor (i bashkëgjykuar i mitur): Shpall fajtor secilin nga personat madhor të përgjegjshëm penalisht dhe shkaktar secilin nga personat e mitur të përgjegjshëm penalisht (“ka kryer një vepër”) për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse (shkelje e nenit 4 §§ 1 dhe 3 të Ligjit 1975/1991). Dënon secilin nga personat madhorë penalisht të pandehur, të shpallur fajtor me: Katër (4) muaj të pandehurit e mitur të shpallur fajtorë me: Masa riedukuese e qortimit”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Përmes kthimit të përgjigjes me letër-porosi, Ministria e Drejtësisë, ka vënë në dispozicion vendimin e Gjykatës së Janinës, ku Kreshnik Hajdari rezulton të jetë dënuar penalisht në vitin 1999 për akuzën e “Hyrjes në teritorin Grek në mënyrë të paligjshme”.

Nisur nga ky zhvillim i ri, ditën e martë në 14 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet të zhvillojë një seancë diskutimi publike lidhur me materialin hetimor të dërguar nga Zyra e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, lidhur me subjektin vetëdeklarues Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste.

Fakti që nuk e ka përmendur dënimin në formularin e vetëdeklarimit, Hajdari rrezikon të humbë të drejtën e qëndrimit si kryetar bashkie në Kuçovë.

Vepra penale për të cilën është dënuar dhe konvertuar në gjobë, kalim i paligjshëm i kufirit, nuk hyn në ato vepra që i rëndon pozitën një funksionari të lartë.

Por kreu i Bashkisë së Kuçovës rrezikon shkarkimin për shkak se nuk e ka deklaruar këtë dënim, ashtu siç e parashikon ligji i dekriminalizimit.

Kreshnik Hajdari u rizgjodh për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Kuçovës në zgjedhjet lokale të 14 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë