Nga Gazeta Si - Pas zbulimit të tumës së parë dhe të dytë përgjatë viteve 2018-2019, është zbuluar këto ditë në Himarë tuma e tretë pranë varrezës tumulare me elemente të veçanta arkitekturore që i përket periudhës së hekurit të hershëm.
Gërmimi arkeologjik është realizuar nga arkeologët Mariglen Meshini dhe Kriledjan Çipa, një bashkëpunim mes Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Vlorës.
Arkeologu Mariglen Meshini thotë për Gazetasi.al se ky gërmim është vijim i nismës së vitit 2018. “Për herë të parë në zonën e bregdetit jonian është zbuluar një varrezë e kësaj tipologjie, që lidhet me kulturën e tumave të njohur gjerësisht dhe e përhapur në periudhën e bronzit në të gjithë Ilirinë dhe në vazhdim në periudhën e hekurit”, thotë arkeologu Meshini.
Sipas arkeologut, ajo që e bën të veçantë zbulimin e këtij viti nga pikëpamja arkeologjike është se deri në këtë moment nuk kemi pasur të njohur më parë në këtë zonë varrezat e tipit tumular.
“Kemi pasur të njohura vendbanimet e hapura, fortifikimet, por jo varrezat e tipit tumular. Secila nga këto varreza në veri të Shqipërisë, por edhe në Shqipërinë e Mesme ka tipologjinë e tyre, por le të themi në vija të përgjithshme, është një kulturë e njëjtë e përdorur nga popullsia ilire që ishte e njohur gjerësisht dhe e lidhur me këtë kulturë”.
Duke e cilësuar si një nga zbulimet më mbresëlënëse, ai thotë se zbulimi do të japë mundësinë e njohjes së mëtejshme të kulturës ilire dhe elementëve të saj.
“Kjo varrezë dhe sidomos gërmimi i këtij viti na ka dhënë mundësinë të njohim mirë tipologjinë, strukturën e ndërtimit, por mbi të gjitha edhe disa elemente të cilët lidhen me traditat, me kulturën materiale dhe atë shpirtërore”.
Materiali arkeologjik i zbuluar këtë vit është më i pasur se vitet e tjera, gjë që plotëson kuadrin e gjerë të njohjes së kulturës materiale.
“Është mjaft i pasur sidomos inventari i varreve qoftë sa u përket armatimeve, apo inventarit që lidhet me kulturën shpirtërore. Por mbi të gjitha edhe me elemente zbukurimi, siç janë byzylykët, vathët, unazat. Janë tipike të njohura të kësaj periudhe, të cilat e lidhin ngushtësisht kulturën materiale me popullsinë”, vijon më tej arkeologu.
Ajo që arkeologu veçon në këtë zbulim është se do të studiohet edhe materiali kockor i eshtrave për të na njohur me aspekte që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, ushqimin, sëmundjet e kësaj popullsie dhe jetëgjatësinë e tyre.
“Studimet do të bëhen nga një antropolog që është pjesë e ekipit. Kjo është një fazë që do kërkojë një periudhë kohe për ta studiuar, por mbi të gjitha do të plotësojë njohuritë që kemi për këtë varrezë dhe për shtrirjen e kësaj kulture”, thotë arkeologu, ndërsa shton se “zbulimi i kësaj tume e vendos zonën e bregut të Himarës brenda hartës arkeologjike të gjithë territorit të Shqipërisë dhe më gjerë ku është e shpërndarë kultura e tumave”.
Arkeologët tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga inertet përgjatë muajve të dimrit.
“Fokusi ynë tanimë është konservimi dhe restaurimi i objekteve të zbuluara nga gërmimi arkeologjik. Ka shumë dallime nga disa tuma të zbuluara në Shqipërinë e Mesme dhe Veriut që nga konstruksioni por dhe nga vendosja e varreve secila brenda unazës së tumës. Kemi një varr qendror, por edhe varre të shpërndara që tregojnë qoftë për varre familjare, por edhe për varre të rivendosura aty në periudha të mëvonshme. Kemi marrë dhe masat për konservimin paraprak të strukturës së tumës duke e rimbuluar atë me një shtresë gjeotekstili dhe më pas me dheun e gërmuar, pasi terreni është i papërshtatshëm dhe gjatë dimrit aty ka prurje të jashtëzakonshme inertesh nga një përrua. Është e pamundur që ato të lihen të ekspozuara”.
Duke qenë se të gjitha materialet e zbuluara kanë vlera për ekspozim dhe na japin informacion për aspekte ndoshta të panjohura të kësaj kulture, ai shpreson që institucionet të mundësojnë që të gjitha zbulimet të bëhen të vizitueshme nga publiku.
“Në të ardhmen jemi duke parë të dhënat që kjo hapësirë ka për zbulimin e tumave të tjera dhe të vijojmë me një projekt që do të bënte të mundur jo vetëm zbulimin e më shumë tumave, por edhe të jenë të vizitueshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.