Trashëgimi

Zbulohet tuma e rrallë antike në Himarë, kultura e njëjtë me pjesën tjetër të Ilirisë

Nga Gazeta Si- Zbulime mbresëlënëse në Himarë. Përgjatë gërmimeve të muajit tetor u zbulua tuma e tretë, pranë varrezës tumulare në Himarë, që paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve.

Arkeologët kanë zbuluar tumën e tretë, pranë varrezës tumulare në Himarë që i përket periudhës së hekurit të hershëm. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale. Ai shkruan se tumat "prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së bronzit dhe hekurit në bregdetin jonian." Tuma e tretë, e cila paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve është një traditë e hershme Ilire.

“Objektet e zbuluara në to i përkasin përiudhës së hekurit të hershëm (shek. XI-X p.Kr). Kultura e dokumentuar në to është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë”, shkruan Rama.

Gjatë gërmimeve u zbuluan edhe disa objekte arkeologjike, mes të cilave një enë balte dhe një majë heshte

Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, për këtë arsye specialistët e DRTK Vlorë dhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë