Gazeta Si – Pas rreth 24 orë betejë me flakët, vatra thuajse është shuar, edhe pse nga vendgrumbullimi i skrapit në ish-Uzinën Metalurgjike në Elbasan ende del tym. Forcat zjarrfikëse po monitorojnë territorin ku u përhapën flakët, ndërsa situata nuk përbën rrezik.
Gjatë natës së kaluar vatra ka qenë mjaft aktive dhe është dashur të angazhohen forca të shumta të zjarrfikësve, po ashtu edhe makineri të rënda të skrapit, që kanë larguar vazhdimisht skrapin nga vatra kryesore e zjarrit.
Megjithatë sot në orët e para të mëngjesit duket se gjithçka është vendosur nën kontroll, pasi edhe pas shpinës time duket që aktualisht del tym i bardhë dhe nuk evidentohen më flakë siç ishin një natë më parë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi se efektivët e Forcave të Armatosura u janë bashkuar forcave zjarrfikësve, të cilat po luftojnë me zjarrin.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Peleshi, sqaron se një pjesë e skrapit është zhvendosur, duke vënë nën kontroll situatën.
“Efektivë të Forcave të Armatosura së bashku me automjete zjarrfikëse me shkumë u janë bashkuar shërbimeve zjarrfikëse të bashkive Elbasan, Gramsh, Peqin dhe Cërrik për të shuar zjarrin në vendgrumbullimin e skrapit, në uzinën e kompanisë “Kurum”, në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik. Me mjete të rënda është zhvendosur një pjesë e skrapit, duke vënë nën kontroll situatën e krijuar”, bën të ditur Peleshi.
Vatra e zjarrit u ndez paraditen e të hënës, ndërsa shkak është bërë ndezja e një baterie e hedhur si mbetje për skrap.
Zjarri u vu nën kontroll në orët e pasdites ndërsa u riaktivizua në orët e darkës, si pasojë e ndezjes së një tjetër baterie. Nga zjarri nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme për kompaninë që menaxhon uzinën e në Elbasan. Flakët shkaktuan ndotje të madhe në zonë për shkak të përhapjes së tymit.
Sipas njoftimit paraprakë të Policisë, nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët. Grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




