Drejtësia

Sherri me kolegun socialist në Kuvend, deputeti Bledion Nallbati në SPAK: Nuk kam goditur askënd

Gazeta Si - Deputeti demokrat Bledjon Nallbati ka mohuar të ketë goditur me grushte kolegun socialist Vullnet Sina gjatë seancë parlamentare të së hënës së shkuar.

Ai u paraqit këtë të hënë në SPAK, pasi u padit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste me akuzën për “goditje për shkak të detyrës”.

Pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Posaçme për përplasjen fizike në Kuvend me ligjvënësin e PS, Nallbati ka deklaruar se nuk ka goditur askënd.

“S’kam goditur njeri, më ka tërhequr, e kam tërhequr. Të tilla veprime nuk nderojnë askënd. Në atë parlament ndodhin gjëra shumë më të turpshme se sa aq, si vjedhja masive që po u bëhet qytetarëve çdo ditë. Në projektbuxhet qindra miliona euro po shkojnë prapë për PPP-të, kjo duhet t’ju shqetësojë ju. Nuk patëm tensionim jashtë Parlamentit me Vullnet Sinën", - u shpreh Nallbati për mediat.

Dy ditë më parë, ishte deputeti socialist që u thirr në SPAK para prokurorëve për të dhënë dëshminë e tij mbi atë çfarë ndodhi në seancën plenare të së hënës.

Si PS, ashtu dhe Grupi i Rithemelimit, ka hartuar kallëzim penal, ku padit Vullnet Sinën për goditje për shkak të detyrës.

Nallbati dyshohet se goditi me grusht gjatë seancës parlamentare deputetin e PS Vullnet Sina, teksa ai po mbante fjalën.

Fillimisht Nallbati i fiku mikrofonin dhe më pas situata agravoi në përplasje fizike. Socialisti është mbrojtur nga Garda dhe kolegët e tij në momentin që u sulmua fizikisht.

Pritet që Nallbati të japë shpjegime për këtë veprim, për të cilin është përjashtuar dhe me 10 ditë nga seancat plenare.

Ndërkohë, të dy deputetëve do t’u kërkohet të kryejnë ekspertim mjeko – ligjor për të provuar nëse kanë probleme shëndetësore që mund të kategorizohen për t’u hetuar.

Seanca e mbajtur u shoqërua me debate të ashpra e tensione. Ishin deputetët e opozitës që kthyen karriget përmbys, duke penguar vijimin e seancës, ndërsa tëenjten, deputeti Ervin Salianji ndezi tymuese në Parlament,. Kjo më pas solli edhe mbylljen e seancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë