Nga Gazeta Si- E veshur klasike, bardh e zi, Elsa Lila mbajti mbrëmjen e të mërkurës koncertin e saj të parë recital në Tiranë, aty ku nisi jeta e saj artistike.
“Finalmente Elsa” mbushi Pallatin e Kongreseve, ku Lila këndoi këngët më të njohura të saj, ndër to edhe bashkëpunimi me Pirro Çakon, i vetmi i ftuar në koncert.
Në nisje të koncertit recital artistja e njohur ka falënderuar bashkëpunëtorët që kanë bërë të mundur realizimin e këtij projekti.
Ajo shoqërohet nga një bandë muzikore italiane në performancat përfshirë këngët “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë” e deri te “Evita”, kënga dedikuar vajzës, me të cilën mori pjesë vitin e shkuar në Festivalin e Këngës.
Dy ditë më parë me emocionet për këtë event të rëndësishëm në karrierën e saj, në një konferencë për mediat Elsa Lila u shpreh se organizimi vjen si një ndjenjë detyrimi ndaj artdashësve që e kanë mbështetur në këto 27 vite në muzikë.
Jetesa mes Shqipërisë dhe Italisë, këndej e andej detit dhe lidhja e kahershme me muzikën, erdhi në recital edhe përmes rrëfimeve dhe përsiatjeve të saj që shoqëruan këngët.
“Muzika për mua është mjeti më i fortë i shprehjes që unë kam, unë kam zërin, është mënyra më e mirë e shprehjes, e imja. Kryefjala e këtij recitali do të jetë muzika dhe miqësia. Sepse të gjithë ato që do të marrin pjesë në këtë projekt duke filluar nga muzikantët që kanë ardhur nga Italia dhe deri tek Red Cloud po e bëjnë më shumë dashuri si për mua dhe si për muzikën tim”, tha Elsa Lila disa ditë më parë në konferencën për shtyp.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.