Motosport

Jep dorëheqjen pas 12 sezonesh Mike Elliott, ‘babai’ i dy makinave Mercedes

Gazeta Si – ‘Babai’ i dy Mercedesëve lë skuderinë e Toto Volf pas 12 sezonesh. Pavarësisht zhgënjimit të viteve të fundit, ai do të jetë një ‘pjesë e çmuar’ në merkaton e inxhinierëve.

Në prag të Çmimit të Madh të Brazilit dhe një vit ekzakt nga fitorja e fundit e fundit në Formula 1, rrugët e Mike Elliott dhe Mercedesit ndahen përfundimisht. Inxhinieri 49-vjeçar ka dhënë dorëheqjen nga roli i ‘Chief Technical Officer’, duke lënë skuderinë pas 12 sezonesh.

Një lajm befasues në botën e Formula 1, duke pasur parasysh kohën, pasi vjen më pak se një muaj nga fundi i Botërorit. Më 21 prill Elliott kishte lënë detyrën e mëparshme të drejtorit teknik për t’i hapur rrugën rikthimit të James Allison.

Pas garave të para zhgënjyese, me konceptin e W14 jo në gjendje të përmbushte pritshmëritë, Mercedesi vendosi të bënte një shkëmbim rolesh me Allison: ish-i i Ferrarit u kthye të drejtonte projektin teknik të Mercedesit, që e kishte lënë në 2021-ën, kurse Elliott kishte më shumë detyra administrimi dhe supervizioni të lidhura me projektimin.

Një mënyrë elegante për të fshehur ‘djegjen’ e inxhinierit, nën drejtimin e të cilit lindën makinat e 2022-shit dhe 2023-shit, të parat që nuk fituan pas 8 vitesh triumfe radhazi.

“Të bëja pjesë te Mercedesi, - lexohet në komunikatën zyrtare me të cilin Eliott njoftonte lamtumirën, - ishte privilegj i madh në karrierën time. Kam parë të rritet një grup personash që kanë punuar bashkë për të fituar deri në 8 tituj radhazi. Jam krenar që kam kontribuuar në këtë rrugëtim, edhe pse dy sezonet e fundit nuk ishin siç shpresonim”.

Përtej gabimeve të sezoneve të fundit, ku Mercedesi nuk ka qenë në gjendje të luftojë për titull, Elliott është gjithsesi një protagonist i madh i sukseseve te kësaj skuderie. Ai me siguri do të jetë i lakmuar në merkato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë