Sport

Rama nderon Alvin Karaqin, fitoi medalje ari për Shqipërinë në Lojërat Europiane

Gazeta Si – Me një ceremoni të zhvilluar sot në ambientet e kryeminsitrisë, kreu i qeverisë Edi Rama ka nderuar sportistin Alvin Karaqi, fitues i medaljes së artë në karate për Shqipërinë në Lojërat Europiane të zhvilluara në Poloni.

‘Ylli i Mirënjohjes Publike’ është titulli që i është akorduar karateistit nga Kosova, që përfaqëson Shqipërinë. Ai arriti një sukses të madh në sportin e karatesë, duke fituar medaljen e artë në Lojërat Europiane Krakov 2023, në kategorinë deri në 84 kilogramë. Në finale mundi holandezin Brian Timermans.

Pas fjalës së rastit të kryeministrit Rama dhe presidentit të KOKSH-it, Fidel Ylli, sportisti u shfaq shumë i emocionuar në sallë, madje mes lotësh falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në arritjen e këtij suksesi.

“Këtë medalje e kam fituar unë, por prapa saj është një ekip i madh që punon dhe dua t’i falënderoj të gjithë, sepse pa mbështetjen e tyre nuk mund ta bëja”, - theksoi Karaqi.

Kohët e fundit kryeministri Rama e ka bërë traditë që të nderojë me çmime të ndryshme në ceremoni speciale sportistët elitarë që sjellin medalje për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë