Në nderim të mjeshtrit të valles popullore Besim Zekthi, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore mbrëmjen e kësaj të marte do të mbajë koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi- Nder i Kombit” në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Koncerti do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Zekthi, bazuar në repertorin krijues të tij, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, duke përfshirë dhe momente nga jeta dhe aktiviteti i tij artistik apo vlerësime nga personalitete të ndryshme.
Në koncert do të interpretojnë grupi i valleve dhe grupi vokal i Ansamblit Popullor, si dhe solistë si Iris Bega, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Xhemnica.
Sokol Marsi, drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore thotë për Gazetën “Si” se ky është koncerti i parë që bëhet pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit Besim Zekthi dhe vjen si pjesë e projektit “Gjerdanit i Artë” në nderim të figurave, që kanë themeluar dhe i kanë dhënë jetën Ansamblit Popullor si Fitnete Rexha, Panajot Kanaçi, Tish Daija, etj.
“Ky koncert i dedikohet figurës së artistit dhe mjeshtrit të madh të valles e koreografisë shqiptare, Besim Zekthi. Synimi ynë në këtë projekt është që të shfaqim më tepër anën krijuese e të rizgjojmë dhe sjellim pranë publikut veprat më të bukura nga krijimtaria e mjeshtrit Zekthi, duke pasur parasysh se shtrirja e krijimtarisë së tij është shumë e larmishme dhe e gjerë, duke filluar nga ‘Vallja Kosovare’ e deri tek ajo çame, si edhe të kujtojmë e nderojmë figurën e tij artistike”, shprehet Sokol Marsi.
Drejtori artistik tregon se koncerti do të trajtohet në formën e një nate “in memoriam”, ku përveç interpretimeve të valleve të krijuara dhe ekzekutuara nga mjeshtri, do të ketë edhe disa numra artistike nga solistët dhe grupi vokal i Ansamblit Popullor. Kjo sipas tij, për t’i dhënë shfaqjes një dimension edhe më të madh se një koncert.
“Parashikohet të jenë të ftuar edhe grupi i mirënjohur ‘Pleqtë e Krujës’ me një potpuri këngësh krutane në nder të origjinës krutane të mjeshtrit Besim Zekthi”, shprehet ndër të tjera drejtori artistik, Sokol Marsi për Gazetën “Si”.
Kush ishte Besim Zekthi
Besim Zekthi për 5 dekada mbeti unik me forcën, elegancën dhe peshën e kërcimit të tij në skenë. Besim Zekthi, mjeshtri i valles popullore la vulën e tij të pashlyer në skenën dhe arkivin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i Madh”- Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist. Ai realizoi qindra figura artistike, të cilat janë të fiksuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij. Por gjatë karrierës së tij artistike Besim Zekthi ka shkëlqyer veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” dhe “Luftëtarët e Lirisë”.
Zekthi shkëlqeu si solist i valles në skenën shqiptare dhe në festivale ndërkombëtare. Ai ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha “Gjerdanin e Artë” vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970. Ai ishte krijuesi dhe valltari që nuk u shkëput kurrë nga elementët e popullit.
Besim Zekthi hyri në historinë e koreografisë shqiptare si “Shqiponja fluturuese”. Ai u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare në 28 qershor 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.