Sport

Franca e shokuar pas kaosit në Marsejë dhe gjakosjes së Grosos, ‘zbret në fushë‘ qeveria

Gazeta Si – Sulmi ndaj autobusit të Lionit dhe plagosjes së trajnerit Groso ka tronditur vendin që po përgatitet për të pritur Olimpiadën. Ministri i brendshëm drejton gishtin drejt klubit marsejez.

Pas dhunës, polemikat. Nuk mund të ndodhte ndryshe në një vend që po përgatitet për organizimin e eventit më të rëndësishëm në botë: Lojërave Olimpike. Ngjarja e së dielës në Marsesë, ku u sulmua me gurë autobusi i Lionit dhe u plagos trajneri Fabio Groso, nuk ka lënë asnjë indiferent. Autoritetet duhet të japin shpjegime dhe mbi të gjitha të marrin masa.

Xhani Infantino, president i FIFA-s, ka bërë një postim elokuent, ku shkruan: “Nuk ka absolutisht vend për dhunë në futboll. Ngjarje të tilla nuk kanë vend në sportin tonë, në shoqërinë tonë dhe u drejtohem autoriteteve kompetente që të garantojnë marrjen e masave adeguate".

Nuk është hera e parë që Franca gjendet në syrin e ciklonit për dhunën në stadiume. Alarmi ra edhe në finalen e Championsit 2022, që u doli nga kontrolli autoriteteve për shkak të menaxhimit të keq. Tani dhe ngjarja shokuese në ‘Velodrome’.

Pas ngjarjes, ministrja e sportit, Amelie Oudea-Castera, shprehu indinjatën për atë çfarë ndodhi. Ministri i brendshëm, Gerald Darmanin, premtoi sot dënime të ashpra administrative dhe sportive, duke drejtuar gishtin te klubi i Olmpikut të Marsejës, që “duhet të menaxhojë tifozët e vet”.

Një mesazh për presidentin Longoria, që kishte bërë me dije se ngjarja ndodhi jashtë stadiumit, kështu që është jashtë kompetencave direkte të klubit. Të paktën tre autobusë të tifozëve miq u gjuajtën me gurë dhe sende të tjera. Ndeshja u anulua dhe tani i takon komisonit të ligës të vendosë. Me shumë mundësi do të luhet me dyer të mbyllura.

Në çdo rast, për Francën është një njollë përpara Olimpiadës. Dhe kjo ndodh kur alarmi për atentate është në shkallën më të lartë për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike më 26 korrik, që do të zhvillohet jashtë një stadiumi. Parada me 10 mijë sportistë dhe gjysmë milioni tifozë në brigjet e Senës ngre dyshime për sigurinë.

Qeveria ka parashikuar të angazhojë rreth 50 mijë policë dhe nuk përjashtohet mundësia që të angazhohet edhe ushtria. Nga burime pranë qeverisë mësohet se një ceremoni inauguruese më pak pompoze nuk mund të përjashtohet. Ngjarja e Marsejës ka shtuar dyshimet në lidhje me aftësitë e Parisit për të administruar një event të dimensioneve të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë