Nga Gazeta ‘Si’-Shqipëria ka forcuar reagimet ndaj luftës kundër pastrimit të parave.
Kështu thekson deklarata nga Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e cila rendit përparimet e bëra nga Shqipëria të cilat ndikuan në daljen e saj pas tre vitesh nga lista gri e pastrimit të parave.
FATF thotë se Shqipëria ka përparuar në: “Kryerjen e analizave shtesë të thelluara për të kuptuar mjaftueshëm pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe rritjen e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional; formalizimi i ekonomisë dhe zvogëlimi i rreziqeve të PP/TF që vijnë nga përdorimi i gjerë i parave të gatshme, dhe regjistrimin e informacionit mbi pronësinë në pothuajse të gjithë vendin. Duke përmirësuar trajtimin në kohë të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike”.
Po ashtu sipas Task-Forcës Financiare, vendi ka bërë përparime edhe në krijimin e mekanizmave efektive për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal në ekonomi, duke përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Po ashtu ka plotësuar rekomandimin për sigurimin e informacionit të saktë dhe të përditësuar të përfituesve të pronësisë.
Ndikim të madh në daljen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave ka dhënë edhe reforma në drejtësi. Në deklaratë thuhet se ka pasur rritje të numrit të ndjekjeve penale dhe sofistikim në ndjekjen e tyre, si dhe janë bërë konfiskime në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra penale të huaja ose pastrim të parave të palës së tretë.
Gjithashtu theksohet se ndikim në daljen nga monitorimi i shtuar i Shqipërisë ka dhënë edhe përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara, veçanërisht nëpërmjet veprimeve të zgjeruara mbikëqyrëse dhe shtrirjes së synuar dhe proaktive.
Task-Forca Financiare në fund i rekomandon Shqipërisë të vazhdojë të punojë me MONEYVAL për të mbështetur avancimin në sistemet e saj kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ministri i Financave Ervin Mete tha se vendimi është marrë si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve.
“Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë” është shprehur Mete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.