Ka ndodhur

Kërkohej nga policia për ‘shtëpinë e barit’ në Shkodër, arrestohet 31-vjeçari

Gazeta Si – Një 31-vjeçar u arrestua në Shkodër, duke e çuar në 9 numrin e personave të ndaluar në kuadër të operacionit të koduar antidrogë “Bërdica”.

Bëhet fjalë për një operacion të zhvilluar në vitin 2022, ku u godit rasti i kultivimit të kanabisit me anë të llambave në një banesë tre katëshe në fshatin Bërdicë.

I riu ishte në kërkim, pasi gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me tre nga të arrestuarit e tjerë për ta përshtatur katin e dytë të banesës për kultivimin e drogës me pajisje elektrike.

Në kuadër të operacionit një vit më parë, policia arrestoi edhe 5 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre. Në banesën që ishte përshtatur për drogën u gjetën 1200 fidanë dhe 730 bimë narkotike, pajisje të ndryshme elektrike për kultivimin e tyre, 1 armë zjarri dhe municion luftarak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë