Teknologji dhe Inovacion

Dhjetra shtete të SHBA-së padisin Metën: Dëmton shëndetin mendor të fëmijëve

Dhjetra shtete të SHBA-së, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, po padisin Meta Platforms Inc. për dëmtim të të rinjve dhe kontribuar në krizën e shëndetit mendor të tyre, duke krijuar me vetëdije dhe qëllimisht funksione në Instagram dhe Facebook që i bëjnë fëmijët të krijojnë varësi.

Padia e ngritur nga 33 shtete në gjykatën federale në Kaliforni, pretendon se Meta mbledh në mënyrë rutinore të dhëna për fëmijët nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve të tyre, në kundërshtim me ligjin federal. Përveç kësaj, nëntë prokurorë të përgjithshëm po paraqesin padi në shtetet e tyre përkatëse, duke e çuar numrin e përgjithshëm të shteteve që marrin masa në 41.

“Meta ka shfrytëzuar teknologji të fuqishme dhe të paprecedentë për të joshur, angazhuar dhe për të futur në grackë të rinjtë dhe adoleshentët. Motivi i saj është fitimi dhe në përpjekje për të maksimizuar përfitimet financiare, Meta ka mashtruar vazhdimisht publikun për rreziqet thelbësore të platformave të mediave sociale dhe ka fshehur mënyrat në të cilat këto platforma shfrytëzojnë dhe manipulojnë konsumatorët më të cenueshëm: adoleshentët dhe fëmijët”, thuhet në ankesë.

Paditë kërkojnë dëmshpërblim financiar dhe përfundimin e praktikave të Metës që janë në kundërshtim me ligjin.

“Fëmijët dhe adoleshentët po vuajnë nga nivele rekord të shëndetit të dobët mendor dhe fajin e kanë kompanitë e mediave sociale si Meta”, tha në një deklaratë Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James.

Në një deklaratë, Meta tha se kupton “përkushtimin e Prokurorit të Përgjithshëm për t’u ofruar adoleshentëve përvoja të sigurta dhe pozitive në internet dhe tashmë ka prezantuar mbi 30 mjete për të mbështetur adoleshentët dhe familjet e tyre”.

“Jemi të zhgënjyer që në vend që të punojmë në mënyrë produktive me kompani në të gjithë industrinë për të krijuar standarde të qarta, të përshtatshme për moshën për shumë aplikacione që përdorin adoleshentët, prokurorët e përgjithshëm kanë zgjedhur këtë rrugë,” shtoi kompania.

Padia është rezultat i një hetimi të udhëhequr nga një koalicion i prokurorëve të përgjithshëm nga Kalifornia, Florida, Kentaki, Massachusetts, Nebraska, Nju Xhersi, Tenesi dhe Vermonti.

“Meta ka dëmtuar fëmijët dhe adoleshentët tanë, duke kultivuar varësinë për të rritur fitimet e korporatave”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta.

“Me padinë e sotme, ne po vendosim kufijtë”.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Uashington D.C. Brian Schwalb nuk tha nëse ata po shikojnë gjithashtu edhe TikTok ose Snapchat.

Tani për tani ata janë duke u fokusuar në perandorinë Meta të Facebook dhe Instagram, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë