Në agim të një mëngjesi të vitit 1901, Pikaso mbërriti në Paris. E ardhmja e tij fillon pikërisht atë ditë, në atë qytet. I lindur në Spanjë më 25 tetor 1881, Pikaso e kaloi pothuajse të gjithë jetën e tij në Paris dhe megjithatë, në kryeqytetin francez, ai shpesh ndihej si një i huaj, një mërgimtar, një “roje speciale” e policisë.
Kjo është pika e fillimit të “Pikaso. Një rebel në Paris”. Historia e një jete dhe një muzeu, prodhuar nga 3D Produzioni dhe Nexo Digital me mbështetjen e Musée National Picasso në Paris ka mbërritur nëpër kinema ku jeta e artistit të famshëm jepet përmes një këndvështrimi të ri dhe krejtësisht të ndryshëm nga ai që jemi mësuar.
Filmi dokumentar për Pikason
I realizuar me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Picasso-s (Malaga, 25 tetor 1881 – Mougins, 8 prill 1973), filmi dokumentar – me regji të Simona Risi dhe me skenar të Arianna Marelli – vë në qendër të historisë së tij udhëtimin e një emigranti të ri, të varfër, por të destinuar të bëhet një nga ikonat më të rëndësishme të shekullit të 20-të.
Në një lëvizje të vazhdueshme hyrje-daljeje nga Muzeu Pikaso në Paris, koleksioni më i madh ekzistues kushtuar piktorit me 6000 kryevepra dhe 200.000 copë materiale arkivore, filmi ndjek artistin e famshëm në lagjet pariziane ku ai jetonte, nga atelietë e pangrohura në fillimet e tij deri tek apartamentet e mëdha borgjeze, ku fillon suksesi: një rrugëtim për të kuptuar punën dhe shpirtin e tij në një mënyrë më të thelluar.
Një portret origjinal i artistit
“Pikaso. Një rebel në Paris”, historia e një jete dhe një muzeu zhvillon kështu një portret origjinal të artistit, duke përshkruar karakterin e tij kontradiktor - bujar dhe despotik, shpesh i fshehur edhe pas një maske.
Karakteri i tij kontradiktor sot ka ndezur një debat të mprehtë: a mund të ndahet artisti nga njeriu? Në sfond shfaqet gjithmonë Parisi në kohën e artistit, një qytet kontradiktor që në fillim të shekullit, pikërisht kur po shndërrohej në një metropol të hapur dhe modern, shfaqi intolerancën dhe ksenofobinë ndaj emigrantëve. Dhe Pikaso është një emigrant, një anarkist mes anarkistëve të Montmartrit, një tip i dyshimtë për t’u mbajtur nën vëzhgim.
Kështu, do të dalin në pah aspekte që janë ende pak të njohura për piktorin, të cilat historianët e artit sapo kanë filluar t’i hetojnë sot. Nuk do të mungojnë analizat e veprave si “Les Demoiselles d'Avignon”.
Fragmente dhe intervista
Aktorja Mina Kavani e shoqëron dokumentarin me lexime të fragmenteve të marra nga letrat e ruajtura në Muzeun e Pikasos dhe nga vëllime si “Pikaso dhe miqtë e tij” nga Fernande Olivier, “Pikaso” nga Gertude Stein dhe “Jeta ime me Pikason” nga Françoise Gilot. Filmi plotësohet nga intervista me kritikë arti, kuratorë, intelektualë dhe artistë, të cilët na ndihmojnë të hyjmë në mendjen e artistit dhe të kuptojmë pse ai konsiderohet si një nga gjenitë më të mëdhenj të shekullit të njëzetë.
Mes tyre edhe presidentja e Muzeut Kombëtar të Pikasos në Paris, Cécile Debray, historiania dhe autorja e vëllimit “Pikaso. Një jetë si i huaj” Annie Cohen-Solal, historianët e artit Marie-Laure Bernadac dhe Eugenio Carmona Mato, stilisti Paul Smith, drejtuesja e Qendrës së Studimit të Pikasos, Cécile Godefroy, historiani francez François Hartog, artistët Obiageli Okigbo dhe Guillermo Kuitca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.