Drejtësia

Shtyhet seanca për bosin e krimit, Rusia kërkon ekstradimin, Igor Kokunov do azil në Shqipëri

Gazeta Si – Në masa të rrepta sigurie, seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër për rusin Igor Kokunov, i cili kërkohet nga Interpoli Ndërkombëtar, është shtyrë për në datën 7 nëntor.

Avokati mbrojtës i Kokunov, Isuf Shehu, deklaroi se shkresa për ekstradim është firmosur nga zëvendës prokurori i përgjithshëm i Rusisë dhe jo nga prokurori apo ministri i Drejtësisë së Rusisë dhe kjo bie ndesh me Konventën Ndërkombëtare.

Avokati tha se Kokunov ka vetëm një vepër penale, për të cilën dyshohet si kreu i një grupi kriminal, dispozitë që sipas avokatit nuk njihet nga ligji shqiptar.

Avokati deklaroi është kërkuar azil në Shqipëri për Kokunov, për shkak se Rusia është një shtet i pasigurt dhe që shkel të drejtat e njeriut.

Deri më 7 nëntor pritet të sqarohet nëse shkresa për ekstradim është firmosur apo jo nga Prokurori i Pergjithshëm i Rusisë apo nga ministri rus i Drejtësisë.

Kokunov konsiderohet si një person shumë i rëndësishëm i botës së krimit në Rusi dhe në Serbi, ndaj në mbështetje të policisë së Shkodrës, kanë ardhur edhe forca speciale nga Tirana.

I dyshuar si drejtues i një grupi të fuqishëm kriminal, 59-vjeçari u arrestua me 28 gusht në pikën kufitare të Muriqanit.

Ai rezulton i kërkuar nga Interpoli, pasi është dënuar me 15 vite burg për vepra të ndryshme penale, pasi akuzohet për disa vrasje në Rusi, ndërsa cilësohet edhe si koka e grupeve kriminale në Beograd.

Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu me nofkën “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga “arresti shtëpiak” në pritje të gjykimit.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në fillim të muajit shtator, Igor Kokunov, ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Moskë, por sips tij, proceset penale janë stimuluar për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ka ai me regjimin e presidentit Vladimir Putin.

59-vjeçari, ka pretenduar se donte të hynte në territorin shqiptar për qëllime turistike dhe se nuk kishte asnjë dijeni se ndaj tij ishte lëshuar një mandat arresti nga Gjykata e Moskës.

Autoritetet ruse e akuzojnë edhe për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë