Ne rrjet

‘Serbia do territor në Kosovë, por s’do ta marrë kurrë’. Osmani përplaset me Bërnabiç në OKB, kërkon dorëzimin e terroristëve nga Beogradi

Nga Gazeta ‘Si’-Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua mes përplasjeve dhe akuzave të forta që Serbia dhe Kosova këmbyen me njëra-tjetrën.

Ndërsa diskutohej raporti për Kosovën i sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve. Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.

Por Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se ndonëse Serbia dëshiron të marrë territorin e Kosovës, “nuk do ta marrë kurrë atë”.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.

Sipas saj, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.

Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për të zgjedhur dallimet mes nesh”, tha Osmani.

Osmani i përmendi Serbisë listën e moszbatimit të marrëveshjeve, duke thënë se shtuar se Kosova dëshiron një zbatim të plotë dhe të shpejtë të tërësisë së Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit, në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar.

“Nuk duhet të lëmë propagandën të fitojë. Ne duhet të luftojmë për të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë që mund të dëshmohet dhe ajo është se Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni nga Serbia, se Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë për hir të ndalimit të integrimit të tyre në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës; se Serbia dëshiron territorin e Kosovës të cilin nuk do ta marrë kurrë; që Kosova është pala konstruktive në dialog me historikun e zbatimit të shumicës dërrmuese të angazhimeve të saj, dhe se lista e moszbatimit nga Serbia është aq e gjatë saqë do të na duheshin shumë e shumë orë për ta diskutuar atë; se ne duam një zbatim të plotë dhe të shpejtë të tërësisë së Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar; që ndërsa ishim të përkushtuar për bisedime paqësore me Serbinë, ata përdorën forcë; që ne duam drejtësi dhe llogari, dhe Serbia do mohim dhe mosndëshkim; se ne duam paqe dhe Serbia më 24 shtator ka treguar që fatkeqësisht do luftë, por ne nuk do t’i lëmë ta kenë.

Siç e dimë të gjithë, demokracia dhe liria mbizotërojnë gjithmonë sepse nuk ka asgjë që mund t’i pengojë një kombi liridashës. Sepse sado të vështira të jenë pengesat, sado e vështirë të jetë rruga, sado e dhimbshme të jetë sakrifica, populli i Kosovës kurrë nuk do të heqë dorë nga liria e tij”, tha ajo.

Seanca në OKB

Por kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiç akuzoi Kosovën se injoron zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bërnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova, sipas saj ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, është që serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiçit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm.

“Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur “që të ndërmarrin hapa konkretë përpara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë