Drejtësia

Dosjet e korrupsionit nën hetim, Dumani: SPAK duhet të merret me çështjet e mëdha

Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zbuluar se në kuadër të hetimeve kundër korrupsionit, janë disa dosje nën hetim që përfshijnë ish-zyrtarë të lartë dhe ish-ministra.

Në raportimin e bërë në Këshillin e Integrimit, ai propozoi ngritjen e kufirit minimal për hetimin e dosjeve të korrupsionit, kufi i cili qëndron në shifrën e 50 mijë lekëve të reja.

Sipas Dumanit, kjo ka sjellë mbingarkesë sjell me çështjet në SPAK, institucion, i cili sipas tij duhet të hetojë vetëm rastet e korrupsionit të madh.

“SPAK duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë”, – theksoi kreu i Prokurorisë së Posaçme.

Sa i takon çështjeve nën hetim, Dumani shtoi se në njërin prej këtyre rasteve, është dhënë vendimi për konfiskimin e pasurisë të një ish-funksionari të lartë të drejtësisë.

“Vëmendje ka marrë identifikimi dhe sekuestrimi i vlerës së produktit veprës penale me qëllim final konfiskimin e pasurive të vëna nga vepra penale e korrupsionit. Janë dhënë katër vendime për sekuestro preventive të pasurisë në kuadër të Kodit Penal, duke shënuar një rritje me 33 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Është dhënë edhe një vendim konfiskimi i pasurisë të një ish-funksionari të lartë, që është ish–funksionari i drejtësisë, pasuri të konsiderueshme. Kjo do të vazhdojë të jetë”, tha Dumani.

Gjatë fjalës së tij, Dumani ka thënë se nën hetim janë dhe funksionarë të lartë publikë.

Pa përmendur emra, Dumani u shpreh se një ish-ministër, një ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror, janë nën hetim.

“Për periudhën nga 1 janari 2023, e deri më 30 shtator 2023, janë regjistruar 151 procedime penale me 133 persona nën hetim. Nga këto, nën hetim janë gjithsej 13 procedime penale me 15 persona nën hetim, ish-funksionarë të lartë publikë, ku përfshihen dhe ish-funksionarë të drejtësisë, si më poshtë: 1 ish-ministër, 1 ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror. 4 prej tyre kanë qenë ish-funksionarë të drejtësisë, nga të cilët 1 person rezulton të jetë i shkarkuar nga KPK-ja. Janë regjistruar dhe 7 procedime penale për 9 persona, ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Numri i procedimeve penale të regjistruar për funksionarë të Policisë së Shtetit është rritur me 75%”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë