Treg

Indeksi i kriptomonedhave për 2023-shin, Shqipëria ngjitet me 12 pozicione

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqipëria është përmirësuar ndjeshëm në Indeksin e Adaptimit të Kriptomonedhave, ku për vitin 2023 është ngjitur me 12 vende. Sipas platformës Chainalysis, Shqipëria mban vendin e 84-të nga 154 shtete të listuara.

Sipas pikëzimit, Shqipëria vlerësohet me 0.009 pikë, ku 1 është më e larta. Në rajon vendi jonë është i dyti, pas një diference të ngushtë me Serbinë që listohet e 66-a dhe vlerësohet me 0.012 pikë. 

Indeksi që punohet nga platforma më e madhe e ekspertizës së kriptove në botë, synon të listojë vendet sipas aktivitetit të tyre në kripto, shpërndarjen e tyre dhe mbajtja e tyre nga individët në raport me pasurinë që posedojnë.

Sa më i lartë të jetë raporti i vlerës së marrë në zinxhir ndaj fuqisë blerëse për frymë, aq më e lartë është renditja. Me fjalë të tjera, nëse dy vende do të merrnin sasi të barabarta të kriptomonedhave në shërbimet e centralizuara, vendi me fuqinë blerëse më të ulët për frymë do të renditej para.

Indeksi analizon pesë tregues për këto matje, të cilat do të publikohen më të detajuara pak ditë më vonë nga platforma. Një vit më parë Shqipëria kishte rankim të lartë në ‘transaksionet midis dy individëve P2P’ ku ishte në vendin e 49-të.

Për vitin 2023, lista dominohet nga vendet aziatike, ku India mban vendin e parë në të gjithë treguesit. Nigeria renditet në vend të dytë. SHBA mban vendin e katërt. Ukraina dhe Rusia kanë një përmirësim të renditjes së tyre gjatë 2023-shit, duke mbajtur respektivisht, vendin e 5-të dhe të 13-të.

Raporti thekson së në tërësi, gjatë këtij viti interesi për kripomonedhat ka qenë më i ulët, por është rritur kërkesa nga vendet me të ardhura të ulëta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë