Muzike

Ermonela Jaho vizitë në sallën e koncerteve në Universitetin e Arteve, Margariti: Hapja së shpejti

Sopranoja Ermonela Jaho vizitoi sallën e koncerteve në Universitetin e Arteve, që i është nënshtruar një procesi restaurimi.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet në rrjete sociale se kjo sallë koncertesh në UA do të hapet së shpejti.

“Një emocion i bukur vizita e sopranos sonë të madhe Ermonela Jaho në sallën e restauruar të koncerteve në Universitetin e Arteve. Një rikthim pas 31 vjetësh, me premtimin se do ngjitet të këndojë në këtë skenë. Hapja e sallës së koncerteve, së shpejti!”, shprehet Margariti në rrjete sociale, ku është postuar dhe një video që tregon vizitën e sopranos Ermonela Jaho në këtë sallë koncertesh. 

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho këto ditë u rikthye në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit për të zhvilluar njw masterclass me të rinjtë.

Të rinj nga Shqipëria, por dhe nga vende të tjera  mësuan mbi teknikën fizike të këndimit, të interpretimit e përgatitjes psikologjike të repertorit dhe ndërtimit të një roli. Por ndryshe nga disa muaj më parë kur sopranoja zhvilloi në TKOB një masterclass në kuadër të “Akademisë Teatrale”, këtë herë aplikime kanë qenë më shumë. Sopranoja Ermonela Jaho ndërsa foli për punën me të rinjtë do tw shprehej në TKOB se kjo është më tepër një bashkëpunim.

“Edhe unë mësoj prej tyre, kthehem nw fillimet e mia, pra ndërveprojmë dhe përpiqem që eksperiencën time t’ju jap dhe atyre. Unë jam këtu dhe atë që kam për të dhënë do e jap kush do ta marrë le të marrë dhe kush do ta lerë le ta lërë”, tha ajo.

Ermonela Jaho është ndër emrat më të lakuar të muzikës klasike, sukseseve të saj i shtohet së fundmi dhe nominimi për çmimet “Gramaphone Award 2023”, për interpretimin e saj në veprën “Turnadot” të Puçinit. Çmimet e Muzikës Klasike Gramophone, të lançuara prej vitit 1977, janë ndër vlerësimet më të rëndësishme që bëhen në industrinë e regjistrimeve të muzikës klasike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë