Mjedis

Alarmi i NASA-s: Nju Jorku po fundoset nën peshën e rrokaqiejve, tani ekziston rreziku i përmbytjeve

Milimetër pas milimetri, qyteti amerikan që “nuk fle kurrë”, po zhytet nën peshën e grataçelave gjigante

Gazeta Si – Kryeqyteti amerikan i modës dhe luksit po rrëshqet ngadalë poshtë, duke vënë në rrezik serioz popullsinë lokale që jeton përgjatë bregdetit, me rritjen e nivelit të detit – në mënyrë simetrike.

Matjet e bëra me satelitë kanë treguar se disa lagje të zonës metropolitane të Nju Jorkut janë gradualisht në rënie dhe në të njëjtën kohë disa të tjera po rriten në nivel.

Këto janë variacione më pak se një centimetër në vit, por të mjaftueshme për ta bërë qytetin të ekspozuar ndaj rreziqeve të përmbytjeve të shkaktuara nga ndryshimi përkatës i nivelit të detit.

Studiuesit nga “Jet Propulsion Laboratory” i NASA-s dhe “Rutgers University” i Nju Xhersit, po punojnë për të verifikuar fenomenin.

Shkaqet

Shkaqet kryesore përfshijnë lëvizjet natyrore të tokës: mikrolëvizjet e vazhdueshme ndodhin nën këmbët tona çdo ditë dhe shteti i Nju Jorkut nuk bën përjashtim.

Manteli i Tokës është ende duke u përshtatur me një kapak akulli polar që mbuloi zonën rreth 24,000 vjet më parë, me një shtresë të trashë akulli mbi Albany, kryeqytetin aktual.

Bëhet fjalë për faktorë natyrorë që datojnë që nga epoka e akullit, por jo më pak i rëndësishëm është gjurma njerëzore, e cila me ndërtimin dhe shfrytëzimin e tokës, ka ndryshuar ekuilibrin natyror, siç tregohet nga një artikull i botuar së fundmi në revistën “Science Advances” dhe nga një raport i mëpasshëm i NASA-s.

Duke analizuar zonat e prekura nga fundosja progresive, studiuesit vunë re se një pjesë e mirë e tokës shkelëse, i ishte nënshtruar ndërhyrjeve rikuperuese, ose e përdorur si vendgrumbullim, me pasojë ndryshimet e tokës. Rezultati është se toka tani është zbutur tepër dhe shtypet më shumë nën peshën e ndërtesave.

Çfarë zbulojnë matjet

Kontributi i ESA-s ishte thelbësor, duke ofruar satelitët Sentinel-1 dhe teknika të avancuara të përpunimit të të dhënave, me të cilat u bë e mundur të hartoheshin ndryshimet lagje pas lagje në detaje.

Ky është një hap përpara në krahasim me matjet e mëparshme të lëvizjeve vertikale të tokës, të cilat mund të përdornin vetëm instrumente të vendosura në tokë.

Nga matjet, shihet se rënia është mesatarisht afërsisht 1.6 milimetra në vit, por varion në varësi të sipërfaqeve. Megjithatë, disa zona të lagjeve si Queens dhe Brooklyn, po rriten pak.

Dy pikë janë jashtë mesatares për uljen e pikut: zona që tërheq më shumë vëmendjen është poshtë “Arthur Ashe Stadium”, fusha e tenisit e cila fundoset me afërsisht 4.6 milimetra në vit.

Gjatë operacioneve të kaluara të rinovimit, çatia e ndërtesës ishte lehtësuar tashmë për të zvogëluar peshën e strukturës.

Vendi i dytë shkon në Pistën 13/31 në aeroportin “LaGuardia”, e cila ulet rreth 3.7 milimetra në vit.

Një rinovim prej 8 miliardë dollarësh është duke u zhvilluar në aeroport, pjesërisht për të zvogëluar rrezikun e përmbytjeve.

Planet për të ardhmen

Siç thuhet në studimin e publikuar në “Science Advances”: “Qytetit i është dashur prej kohësh të përballet me përmbytjet bregdetare të shkaktuara nga uraganet dhe stuhitë ekstratropike, por siç u pa me ‘Superstorm Sandy’ në 2012, stuhitë e lidhura me ngjarje të rënda të motit, po bëhen më shkatërruese për shkak të rritjes së vazhdueshme të nivelit të detit”.

“OPERA” (Observational Products for End-Users from Remote Sensing Analysis), është emri i projektit që do të monitorojë dhe përshkruajë lëvizjet e tokës në Amerikën e Veriut, duke përdorur një teknikë të sensorit në distancë InSAR (radar interferometrik me hapje sintetike), me Sentinel-1 të ESA-s dhe falë nisjes së planifikuar për vitin 2024 nga misioni NISAR (NASA-Indian Space Research Organization Synthetic Aperture Radar).

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë