Ngjarje

Tiranë, 3-vjeçari humb jetën pas operacionit te dentisti. Familja akuzon mjekun, kërkon drejtësi: Ndryshe e bëjmë vetë!

Gazeta Si - Një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën tre ditë më parë në Tiranë sipas denoncimit të prindërve të tij, të cilët dyshojnë se gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale i është injektuar një dozë e lartë narkoze në klinikën dentare ku e kishin çuar për të rregulluar dhëmbët.

Prindërit e të miturit kanë bërë denoncimin në komisariatin Nr.4 ndaj klinikës dentare, duke akuzuar klinikën private të dentistit Roland Xhaxho, 70 vjeç.

Po ashtu, edhe gjyshi i fëmijës kërkon drejtësi nga shteti, ku akuzon klinikën dentare që mori përsipër mjekimin e nipit të tij."Shteti të vendosë drejtësi, sepse në të kundërt do ta bëjmë vetë drejtësinë...".

Doktor Roland Xhaxho

Ngjarja

Sipas burimeve paraprake, mësohet se pasi i ka bërë grafinë, mjeku i ka thënë prindërve se fëmija ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Për shkak të numrit të lartë të dhëmbëve është vendosur të ndërhyhet me narkozë. Pasi ka mbaruar, fëmija nuk është zgjuar dhe mjeku u ka thënë shkoni në shtëpi se do të zgjohet.

Gjithnjë sipas informacioneve paraprake, edhe në shtëpi 3-vjeçari nuk është zgjuar dhe kanë telefonuar klinikën, por nuk u kanë hapur telefonin.

Më pas e kanë dërguar në pediatri dhe në gjendje kome ka qëndruar 2 ditë dhe ka ndërruar jetë. Policia ka bërë veprimet e para, ku është marrë në pyetje mjeku dhe stafi i klinikës dhe kanë deklaruar se i kanë dhënë sasinë e duhur, sipas tyre, të ilaçeve të narkozës.

Rasti është referuar në prokurori për vepër penale “Neglizhencë në Mjekim”, e cila konsiderohet sipas Kodit Penal si kundravajtje penale dhe jo vepër penale. Ndërkohë, policia dhe prokuroria po presin autopsinë e 3-vjeçarit për të kryer veprime të tjera hetimore.

Gjyshi i fëmijës

Akuzat e gjyshit të fëmijës

Ndërkohë, gjyshi i 3-vjeçarit, u shpreh se nipi i tij ndërroi jetë nga anestezia e tepërt që iu injektua. Ai theksoi se pasi e dërguan në spital, “mjekët e dinin që djali nuk kthehej në jetë, por për të na qetësuar ne e mbajtën 3 ditë”.

Gjyshi i të miturit shtoi se duan drejtësi pasi vogëlushi nuk u kthehet më, ndërsa theksoi se në klinikën në fjalë ka pasur edhe raste të tjera të ngjashme ku pacientët kanë dalë në gjendje kome nga klinika.

“Mjekët u mblodhën të gjithë, bënë konsultë. Unë jua thash se shkaktar i kësaj gjendje ishte mjeku. Ai i hodhi narkozë të tepërt, se ata e thanë se po i hiqnin mbingarkesën. Ata po punonin kot. Ata e dinin që djali nuk kthehej në jetë, që për të na qetësuar ne. E mbajtën 3 ditë. Të enjten në darkë, e shtruam, të dielën në darkë ndërroi jetë. I bëmë autopsinë. Nuk kemi folur as me dentistë. Vetëm mjekët e spitalit ishin aty".

Pas kësaj që ndodhi, gjyshi i fëmijë kërkon drejtësi. "Ne duam vetëm një gjë nga shteti, se e dimë që nuk kthehet djali; duam drejtësi. Ne bëmë kallëzim në polici. Nuk kemi marrë asnjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë. Kemi dëgjuar për disa raste në atë spital. Ne kemi atë dhimbje dhe mjeku po punon atje. Ai ka në spital punonjës që po punojnë ende, operon nga zemra, bashkë me gruan, vajzën dhe dhëndrin. Kërkojmë drejtësi!”, tha gjyshi.

I mituri është dërguar në spital mbrëmjen e së enjtes (28 shtator) dhe ka ndërruar jetë ditën e dielë (1 tetor). Por ngjarja e rëndë është bërë publike ditën e sotme (5 tetor) pas denoncimit të familjarëve në polici.

Njoftimi i policisë

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë