Nga Gazeta ‘Si’ – Serbia ka arrestuar Milan Radoiçiç, i cili disa ditë më parë pranoi përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës.
Këtë e konfirmoi Ministria e Brendshme e Beogradit, bashkë me njoftimin se atij i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
Autoritetet nënvizojnë se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur një kallëzim penal ndaj Radojçiç. Por nuk saktësohet se çfarë akuzash rëndojnë ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe.
Më 30 shtator, Radoiçiç iu përgjigj një ftese të autoriteteve serbe për të dhënë versionin e tij lidhur me atë që ndodhi në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator.
Avokati i tij mbrojtës lexoi letrën ku merrte përgjegjësi të plotë, ndërsa në shumicën e fjalive përpiqej që të shfajësonte Serbinë, presidentin Vuçiç dhe Listën Serbe.
Mes rreshtave konfirmoi dhe akuzën e autoriteteve të Kosovës, teksa theksoi se synimi i sulmit të armatosur ishte nxitja e rebelimit të serbëve lokalë në veri të Kosovës për të vendosur një lloj autonomie me forcë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.