Nga 5 tetori, festivali “Me këndu zërin”, një festival kushtuar zërit si mjeti i parë komunikues i qenies njerëzore, do të ndërthurë traditat vokale italiane dhe shqiptare në Teatrin Metropol.
Festivali “Cantare la voce” (Me këndu zërin), me drejtues artistik pianistin virtuoz Robert Bisha vjen si bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës me Teatrin Metropol.
Festivali do të zhvillohet për tri net rresht, duke filluar mbrëmjen e datës 5 tetor.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera shprehet se në këtë festival kushtuar vokalitetit, do të prezantohen disa nga artistët më të mirë italianë duke ndërthurur traditat vokale italiane dhe shqiptare.
“Është një udhëtim përgjatë magjisë së zërit dhe aspekteve të tij popullore, të lëvruara dhe eksperimentale. Një rrugëtim magjepsës, në të cilin kemi dashur të përfshijmë, përveç publikut, edhe disa shoqata që ndihmojnë shtresat në nevojë të popullsisë, të përfshira në kurse e seminare”, thotë drejtori Ruggera.
Sipas drejtorit artistik, Robert Bisha Shqipëria sot ka nevojë të ngutshme të eksplorojë muzikën përmes vokalitetit dhe të krijojë forma të reja kënge.
Është pikërisht kjo ajo që e nxiti drejtorin artistik Robert Bisha, në fillesat e këtij festivali.
Nata e parë do të fokusohet kryesisht në pjesë të kompozitorit Luciano Berio, interpretuar përmes Folk Songs nga kantautorja Ilaria Pilar Patassini. Së bashku me repertorin e saj origjinal, të zhanrit pop-jazz, kantautorja do të propozojë më pas disa këngë tradicionale shqiptare, të rishikuara së bashku me pianistin Robert Bisha.
Nata e dytë, do të ketë për protagonist një nga zërat unik të Italisë së sotme, John De Leo, kantautor, kompozitor dhe interpretues.
Në natën e tretë do të ketë një “takim” në të njëjtën skenë mes polifonisë tradicionale të Sardenjës “Canto a tenore” dhe Iso-polifonisë, traditë e Shqipërisë së Jugut, të dyja pjesë e trashëgimisë së Unesco-s.
Në natën e tretë do të ketë një konferencë dhe bisedë me Nicola Scaldaferri, etnomuzikolog, kompozitor, multiinstrumentist dhe profesor i etnomuzikologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Milanos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.