Biznes

Qeveria nismë për shkurtimin e burokracive në biznes, Rama: Brenda këtij mandati reformojmë prokurimet publike

Nga Gazeta ‘SI’-Kryeministri Edi Rama në një takim me sipërmarrjen njoftoi mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ka ardhur koha që të rishikohen të gjithë proceset në mënyrë që të lehtësohen bizneset nga burokracitë, të cilat referuar tij, krijojnë pengesa të panevojshme.

“Besoj se ju të gjithë e keni parë, që para pak ditësh, Shqipëria mori një vlerësim të ri të perspektivës ekonomike nga 'Standard& Poors'. Ka ardhur koha që të rifokusohemi bashkërisht, nga njëra anë bërja e një analiza të detajuar që ne kemi nisur ta bëjmë brenda strukturave të qeverisë mbi të gjitha procedurat duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lehtësohet nga pikëpamja nga ajo që është e shkruar.

Ky do ishte një ushtrim i mangët nëse nuk marrim prej jush nga eksperiencat e tuaja të përditshme”,tha Rama i cili shtoi se sipërmarrësve do u jepet një pyetësor dhe se Ibrahimaj, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen e cila ishte e pranishme në takim, do të kryejë takime me të gjithë operatorët.

“Duke pasur parasysh që tanimë janë bërë disa vite që është ecur përpara mbi bazën ë lehtësimit të bërë më parë, është koha për të riparë të gjitha proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër. Ne po bëjmë punën tonë nga brenda institucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri. Kështuqë ju jeni objekti dhe subjekti i kësaj pune dhe për këtë arsye kontributi juaj është jo vetëm i mirëseardhur, por edhe i domosdoshëm”, shtoi Rama.

Rama deklaroi se do kemi një sistem të revolucionarizuar të prokurimeve publike, i cili sipas tij, do të sigurojë më shumë transparencë. Ai tha se ky projekt do mbarohet brenda këtij mandati dhe do përfshijë më tepër komponentë teknologjikë e shumë më pak njerëzorë.

”Fokusi do të vendoset tek revolucioni digjital, duke shtuar shërbimet e reja. Kemi nisur një punë inovative për inteligjencën artificiale, që do të na lehtësojë procese të caktuara duke filluar nga procesi i prokurimeve publike, për të cilin kemi një projekt ambicioz që do kërkojë kohën e vetë.

Por jemi besimplotë që brenda këtij mandati do kemi një sistem komplet të revolucionarizuar të prokurimeve publike, me shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe shumë më pak njerëzorë, në mënyrë që të jenë sa më transparente dhe të drejta në të gjitha nivelet.

Kemi ecur përpara me projektin e krijimit të një shoqërie sh.a që do bëjë procesin e blerjeve të përqendruara.

Do jetë shoqëri publike që do të krijojë më tepër akses dhe detyrimisht edhe transparencë e llogaridhënie në raport me interesin publik dhe të operatorëve”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë