Gazeta Si – Dy adoleshentë janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi vidhnin monopatina në Tiranë dhe më pas i shisnin.
Policia tha se të arrestuarit janë D.Sh., 18 vjeç dhe S.H., 19 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur një 17-vjeçar.
Një person i katërt është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Nga hetimet ka rezultuar se 2 të arrestuarit dhe 17-vjeçari në kërkim kanë vjedhur një monopatinë në “Rrugën e Kavajës” më 1 tetor.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S.H,. siguronte sendet e vjedhura nga shtetasi D.Sh., dhe nga 17-vjeçari, të cilat më pas i shiste kundrejt përfitimeve të ndryshme monetare.
Gjatë ndërhyrjes nga policia, shtetasit K.L., i cili shoqëronte shtetasin D.Sh., iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S.H., shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




