Nga Gazeta Si- Artan Hoxha, rektori i Universitetit të Tiranës ka komentuar ditën e sotme rankimin e këtij universiteti ndër të fundit në botë, duke thënë se ky rankim nuk është përfundimtar por gjithsesi duhet të jemi të lumtur që universiteti është pjesë e universiteteve të botës.
“Ky është një nga rankimet që është në përpunim dhe rezultatet i nxjerr në 2024. Tani, ajo që dua të them është se përveç një rankimi, ka edhe rankime të tjera botërore, ku ne jemi referuar dhe ne i njohim zyrtarisht. Universiteti i Tiranës ka një diferencë të lartë mes institucioneve të tjera brenda vendit. Në rang botëror dhe europian, nuk është universitet për ta turpëruar Shqipërinë, por është universitet që e nderon Shqipërinë”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, universitet shqiptare janë përballë shumë sfidash dhe po punojnë për t’i adresuar ato.
“Ne jemi përpara shumë sfidash. Universitetet kanë sfida dhe ne po përgatitemi, sepse jemi në hapin e parë për të hyrë në BE dhe mundohemi dita-ditës të përmirësojmë veprimtarinë tonë, por që të thuash se Universiteti i Tiranës bie dhe është nën të tjera është e pavërtetë. Ajo që unë ritheksoj tani është se prej 4-5 vitesh ne rankohemi në nivel botëror dhe europian, ndërkohë katër apo pesë vite përpara ne nuk futeshim fare”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.