Në të gjitha universitetet e vendit nisi sot viti i ri akademik 2023-2024.
Rreth 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve në të gjithë vendin.
Regjistrimi i studentëve këtë vit u zhvillua në dy raunde. Raundi i parë u zhvillua nga data 29 gusht deri në 11 shtator, ndërsa raundi i dytë deri në 21 shtator.
Regjistrimi u krye online për dy raundet e para dhe në përfundim të tyre, në programet e studimit ku mbetën kuota të lira pranimi, kandidatët që aplikuan në U-Albania u regjistruan drejtpërdrejtë në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave.
Në Universitetin e Mjekësisë janë plotësuar kuotat prej 450 studentë, mëgjithëse studentët e viteve të ndryshëm kanë paralajmëruar bojkot dhe protesta për shkak të ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri 5 vite pas përfundimit të studimeve.
Nga ana tjetër, Universiteti Bujqësor i Tiranës, këtë vit ka arritur të marrë më shumë studentë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit në Universitetin Bujqësor nuk rrezikoi mbylljen e asnjë dege studimi sikurse ka ndodhur me disa universitete të rretheve.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu iu drejtuar me një mesazh urimi studentëve dhe pedagogëve.
“Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve në universitetet tona. Për mbi 20 mijë prej studentëve, ky është viti i parë. Kalimi nga gjimnazi në universitet shoqërohet me kaq shumë ndryshime, nis një etapë e re e jetës”, tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.