Gazeta Si – Është një moment shumë i mirë për sportin shqiptar në përgjithësi. Suksesi i fundit vjen nga shahu dhe është tepër i veçantë, sepse atë e sjell një vajzë 13-vjeçare nga Durrësi.
Kler Çaku është shpallur kampione Europe në Kampionatin e Rapidit, që u zhvillua së fundi në Slloveni. Çaku, pjesëmarrëse me klubin e Teutës edhe në Championsin e shahut që sapo ka nisur në Durrës, triumfoi për Europianin deri në moshën 14 vjeç.

Shahistja e talentuar arriti të fitonte 7 ndeshje dhe të barazonte në 3 të tjera në aktivitetin e zhvilluar në Slloveni.
“Sukses i madh i shahut shqiptar. 13-vjeçarja Kler Çaku, me 7 fitore dhe 2 barazime, shpallet kampione Europe për moshën deri në 14 vjeç në Kampionatin e Rapidit, që u zhvillua në Slloveni. Kjo fitore vjen pak orë përpara ngjarjes së jashtëzakonshme për sportin shqiptar. Ndërsa Shqipëria mbledh në Durrës yjet botërorë të shahut, Çaku i dhuron vendit të saj një titull kampion.
Kler është gjithashtu pjesëmarrëse ne Kupën Europiane të Klubeve 2023, me ekipin e Teutës. Një skuadër që premton garë të fortë në kompeticionin më të madh sportiv europian të vitit”, – shkruan Federata Shqiptare e Shahut në një postim të saj në lidhje me këtë sukses.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




