Gazeta Si - Grupi i Laert Haxhiut vepronte si një organizatë e strukturuar kriminale në Shqipëri dhe Greqi. Operacioni i koduar “Never Forget”, i nisur mbrëmjen e të mërkurës, u finalizua me arrestimin e 12 personave të dyshuar, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim.
Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për shtyp këtë të enjte, tha se në total janë zbardhur 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje.
Kreu i grupit kriminal, Laert Haxhiu, i cili ndodhet në paraburgim në Greqi për disa vepra penale (Shqipëria kërkon ekstradimin, por Gjykata e Janinës nuk ka vendosur ende), akuzohet se qëndron pas këtyre ngjarjeve kriminale.
Mes vrasjeve për të cilat Haxhiu akuzohet se është organizator dhe porositës janë edhe 2 ekzekutime të ndodhura në Athinë, atë të Lulzim Qorrit, në dhjetor 2018 dhe Dikens Halilit, në tetor 2021.
I pyetur pikërisht për ekstradimin e Haxhiut, Rrumbullaku tha “Jemi në komunikim të vazhdueshme dhe kemi besim që do t’ia arrijmë pavarësisht problematikave ligjore mes dy vendeve”.
Laert Haxhiu ndodhet aktualisht i burgosur në Janinë për veprat penale largim nga vendi i aksidentit dhe prishje e qetësisë publike.
Kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në gusht u rrëzua nga Gjykata e Janinës.
Laert Haxhiu është në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjës me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.
Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjës. Ai gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.
Rrumbullaku renditi të gjitha krimet e kryera nga ky grup me data dhe emra konkretë
Një nga krimet e zbardhura që tashmë do të ketë një autorësi është dhe ajo e atentatit me eksploziv në lokalin e reperit të njohur Rigels Rajko, i njohur si Noizy.
Teksa bëri një rezyme të krimeve të kryera nga banda e Laert Haxhiut, Muhamet Rrumbullaku, deklaroi se ky grup është përgjegjës për vendosjen e tritolit në lokalin e shtetasit Bashkim Rajku, babai i reperit Noizy.
Të arrestuar
1-Artan Tafani
2-Erisiana Abedini
3-Lulzim Spahia
4-Ligor Romaçka
5-Bujar Abedini
6-Bledar Berberi
7-Mariglen Topuzi
8-Enriko Xhahysa
9-Klea Xhafo
10-Idriz Manaj
11-Fatjon Veliu
12-Leart Haxhiu
Të shpallur në kërkim
1-Lorenc Lala
2-Firdeus Berberi
3-Kristi Bizheku
Vrasjet e zbardhura
Alban Semaku, 17 Tetor 2021
Çajup Selimi, 1 Qershor të 2021
Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021
Fridmand Xhaferraj, 13 Maj 2021
Lulzim Qorri, 12 Dhjetor 2018 (Athinë)
Dikens Halili, 3 Tetor 2021 (Athinë)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.