Lajme

Buxheti për shëndetësinë, Rama: Rritje pagash për mjekët e infermierët

Gjatë prezantimit të buxhetit të shëndetësisë, kryeministri Edi Rama tha se ky buxhet “është 750 milionë dollarë, më i larti për shëndetësinë, ose 43% më i lartë se ai i 5 viteve më parë”.

Kreu i qeverisë pranoi se sistemi shëndetësor nuk është aty ku duhet, por pohoi se me buxhetin e 2019-ës qeveria do të rimbursojë 104 milionë dollarë barna dhe ilaçe.

Rama nënvizoi se çeku i lindjes së bebeve do të kthehet në një mbështetje financiare për nënën dhe fëmijën, me “400 dollarë për të parin, 800 për të dytin dhe 1.200 për të tretin”.

Në kuadër të këtij procesi transformimi në shëndetësi, Rama tha se ka qenë e nevojshme të ndryshohet në mënyrë domethënëse kontributi i buxhetit për pagesat e mjekëve dhe infermierëve.

“Ka ndryshuar në drejtim të pagës dhe uljes të taksës. Ne do rrisim pagën për inferimierët e mjekët, nga tremujori i dytë i vitit të ardhshëm, një rritje prej 7%, e konsiderueshme dhe që përmbush objektivin tonë për pagën e infermierëve dhe që rrit edhe shpërblimin e mjekëve, - shpjegoi kryeministri. – Është e vërtetë se ekziston një pjesë e bluzave të bardha që e njollosin pastërtinë e mjekut dhe inferimierit, por pjesa dërrmuese e tyre janë heronj, duke pasur parasysh për çfarë bëjnë kur punojnë. Më parë s’kishte çarçafë e aspirina dhe këto kushte nuk i krijuan as mjekët e infermierët, por ato kushte u krijujuan nga keq qeverisja dhe në këto kushte ata kanë shpëtuar jetë njerëzish”.

Rama po ashtu foli edhe për largimin e mjekëve dhe inferimierëve drejt Gjermanisë, duke pohuar se numri I tyre është thuajse i njëjtë me ata që synojnë të bëhen specialistë dhe të punësohen në sistemin shëndetësor shqiptar.

“Largimi i mjekëve është shqetësim edhe për Italinë, Kroacinë e Malin e Zi, por ajo që thuhet dhe është si nata me ditën, nga janari deri në shtator, kanë kërkuar certifikatën 120 mjekë të përgjithshëm e 20 specialistë. Ndërkohë që janë punësuar 158 mjekë në sistemin tonë, janë 12 mjekë që janë kthyer nga jashtë, 57 mjekë të huaj që punojnë këtu, kësisoj ne kemi 4056 mjekë në total.

Vërtet që ka një numër infermierësh që duan të shkojnë jashtë, por janë mbi 400 inferimerë të tjerë që duan të punësohen, që do të thotë se në janar nuk do kemi boshllëk për mjekë specialistë dhe të tjerë  nuk do të munden të hyjnë dot në sistem nga numri i kërkesave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë