Nga Gazeta ‘Si’-Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se pas sulmit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pozicioni i Serbisë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është “më i komplikuar”.
“Një numër jo i vogël i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare filloi të dielën me narrativën se në Serbi ka terroristë, se Serbia është sponsorizuese e terrorizmit, se duhet të sanksionohet, të dënohet”, tha Vuçeviç për Radio Televizionin e Serbisë.
Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se Serbia nuk ka asnjë lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe tha se ajo që ka ndodhur saktësisht, “nuk është përcaktuar ende”.
“Shoh se shumë njerëz në Serbi po nxjerrin përfundime të shpejta se si dhe çfarë ka ndodhur të dielën në Banjskë”, tha Vuçeviç, duke shtuar se që nga viti 1999, “Serbia nuk ka pasur autoritet de fakto” në Kosovë.
“Kjo e bën shumë më të vështirë për ne dhe për autoritetet tona që t’i mbledhin të gjitha faktet”, tha ministri serb i Mbrojtjes.
Policia e Kosovës të martën tha se ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, ku një grup i personave të maskuar dhe të armatosur sulmoi policinë kosovare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.