Dokumentar

Një dokumentar për jetën e ‘Uliksit’ shqiptar, skenaristi: Bekim Fehmiu vdiq me pengun që nuk luajti një film shqiptar

Nga Luljeta Nelallari - 13 vjet pas ndarjes nga jeta, aktori Bekim Fehmiu, që do të linte gjurmë në kinematografinë e Ballkanit dhe më gjerë, rikthehet në Tiranë, jo fizikisht, por gjithë jeta e tij në një film dokumentar!

Dokumentari për Bekim Fehmiun (ku deri më tani opinioni i gjerë e njihte atë vetëm në bazë të roleve filmike, por jo edhe në segmentet e tjera të jetës) u shfaq premierë mbrëmjen e 21 shtatorit në Kinema Millenium nën regjinë e regjisorit të ri, Valmir Tertini, një dokumentar që ishte menduar të realizohej në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, por do të shtyhej për shkak të pandemisë.

Bekim Fehmiu e mbylli siparin e jetës së tij në mënyrën e vet, duke e kundërshtuar fatin e Zotave, si Uliksi (rol që i dha famë botërore), jetoi vrullshëm e madhërishëm dhe vdekjen e zgjodhi si destin të fatit të tij.

Me aktin e vdekjes nis edhe filmi.

“Skenari nis me aktin e vdekjes ashtu siç kam vepruar edhe me përgatitjen e monografisë që është jashtë rregullave letrare dhe karakteristikë e veçantë”, shprehet për Gazetën "Si" skenaristi i filmit, Fahri Musliu.

Regjisori Valmir Tertini thotë se realizimi i këtij dokumentari ishte një sfidë, sa e vështirë, aq edhe e bukur.

“Është një artist me plotë kuptimin e fjalës, një karakter i fortë, i cili nuk e uli veten në asnjë moment, madje protestoi për të padrejtat”, shprehet regjisori Tertini për Gazetën “Si”.

Për Musliun të bësh film dokumentar për një artist të përmasave botërore, si Bekimi, nuk është e lehtë, pasi i njihte mirë kodet e ashpra profesionale e njerëzore të tij e veçmas perfeksionizmin në punë.

“Për mua do të thotë realizimi i një ëndrre të heshtur në shpirtin tim që lindi gjatë përgatitjes 4-vjeçare të  monografisë mbi Bekimin dhe botimit të parë saj në qershor të vitit 2015”, thotë skenaristi për Gazetën “Si”.

Skenaristi Fahri Musliu

Nëpërmjet rrëfimeve të bashkëshortes, vëllait, aktorëve, regjisorëve, producentëve, shokëve të fëmijërisë e të studimeve dhe miqve të ngushtë, regjisori Valmir Tertini thotë se dokumentari shpalos figurën e keqkuptuar të aktorit.

“Tregohen të gjitha të vërtetat e tij nga pikëpyetjet për vetëvrasjen, lindja e deri te kulminacioni, por edhe më shumë”, shprehet regjisori.

Xhirimet për filmin nisën në 2020-n për të përfunduar në 2023-n dhe janë bërë në 6 shtete.

“I filluam xhirimet më parë në Beograd ku është shkolluar, ka punuar e jetuar Bekimi, pastaj në qytetin e lindjes së tij në Sarajevë, në Zagreb, Prishtinë, Prizren. Shkaku i pandemisë Covid 19 i ndërpremë xhirimet për t’i vazhduar më 2022 në Tiranë e Shkodër dhe në verën e këtij viti në Romë të Italisë”, vijon më tej regjisori.

Regjisori i dokumentarit, Valmir Tertini

Sipas Tertinit, me këtë film publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar në përgjithësi, i cili Bekimin e njeh vetëm sipas roleve kryesore e dytësore në 50 filma të tij, i paraqitet në total figura e tij duke u nisur nga lindja e deri në vdekje.

Për herë të parë publikut i prezantohet shtëpia ku ka lindur Bekimi në Sarajevë (01.06.1936), shkolla ku ka mësuar në Prizren, teatri i Prishtinës ku u pranua dhe luajti si aktor profesionist në sezonin 1955/56, Akademia për Teatër e Film në Beograd (1956-1960) ku studioi, Teatri Jugosllav i Dramës ku u pranua si aktor i parë shqiptar me diplomë fakulteti (1960). Pastaj vizita e Bekimit në Shqipëri më 1972, e veçmas në Shkodër ku bashkë me familjen ka jetuar dy vjet (1939-‘41), godina e banimit në Beograd, shtëpia e nënës së tij në Prishtinë, holli i kinemasë ABC në Prishtinë ku ai i kalonte nga dy-tre muaj në Prishtinë, pamje nga shumë filma që publiku shqiptar nuk i ka parë, veçanërisht pamje nga filmi “La Voce” (Zëri) kushtuar jetës së babait të Nënë Terezës.

Sipas skenaristit Musliu, kontributi i Bekimit në jetën artistike është kolosal sepse pa Bekimin nuk mund të shkruhet historia e filmit shqiptar (edhe pse nuk luajti asnjë film në shqip), ballkanik, europian e botëror.

“Bekimi ka qenë aktori i parë shqiptar që e shpërtheu perden e hekurt të sistemit monist/komunist të Evropës Lindore dhe luajti në Perëndim, madje për shtëpitë më të mëdha filmike evropiane e amerikane përfshirë dhe Paramount Pictures. Filmat e tij për shkak të roleve karakteristike shfaqen edhe sot nëpër kinematë e shteteve të ndryshme si dhe nëpër televizione jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine, Azi, Afrikë”, vijon Musliu, ndërsa shton se “filmat e tij shfaqen më pak ose fare në hapësirën shqiptare, pra në Shqipëri dhe Kosovë sepse vazhdon të mbretërojë një shpërfillje e tij nga institucionet shtetërore të niveleve të ndryshme”.

Aktori Bekim Fehmiu në rolin e Uliksit

Sipas skenaristit, Bekimi e kishte ëndërr të luante një film shqiptar, por një dëshirë e tillë nuk iu plotësua, siç duket nga shpërfillja institucionale.

“Në fakt është një fatkeqësi që Bekimi nuk ka luajtur në asnjë film shqiptar edhe pse kjo dëshirë, me të cilën edhe ka vdekur nuk iu plotësua kurrë. Ai u përpoq disa herë, por duket se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë qenë të gatshme të pranojnë një aktor të formatit të madh me famë botërore, i cili nuk ka pranuar projekte jocilësore dhe nuk ka bërë kompromise me asgjë. Për fat të keq, më duhet ta cek, se institucionet shtetërore më shumti në Prishtinë, por edhe Tiranë edhe sot e kësaj dite kanë qëndrim injorues ndaj Bekimit dhe kjo shihet nga mosgatishmëria e tyre për të përkrahur projekte apo aktivitetet që kanë të bëjnë me jetën e veprën e tij”, shprehet ndër të tjera skenaristi Musliu.

Edhe regjisori Valmir Tertini thotë se një ndër vështirësitë më të mëdha që kanë pasur në realizimin e këtij projekti ishte problematika me fondet.

“Institucionet e kulturës në Kosovë nuk janë përfshirë në këtë projekt. Qendra Kinematografike Shqiptare e financoi duke na hapur rrugë në realizimin e tij”, përfundon regjisori për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë