Nga Gazeta Si- Në mbyllje të fazës së parë të regjistrimeve për në universitet, Fakulteti i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës e konsideron pozitive qasjen e studentëve këtë vit të ri akademik.
Dekani Sabri Laçi në një prononcim për Gazetasi.al thotë se në raport me vitin e kaluar, numri i aplikimeve për degët gjeografi dhe gjuhë-letërsi ka ardhur në rritje.
Përjashtim bën dega e historisë e cila këtë vit numëron 17 kërkesa për studime në këtë degë.
Dekani Laçi thotë se në vitin e shkuar akademik 2022-2023 ishin 19 të regjistruar, ndërsa këtë vit akademik 17 kërkesa.
Ndërsa në degën e gjeografisë, ndonëse e lehtë, rritja ka qenë nga 54 të regjistruar vitin e kaluar në fazën e parë, këtë vit akademik janë 60 të rinj maturantë që kanë përzgjedhur të studiojnë në degën e gjeografisë.
Ndërsa dega e gjuhë-letërsisë është preferuar nga 99 të rinj maturantë, nga 76 që u regjistruan vitin e kaluar në fazën e parë të regjistrimit në universitet.
“Prurjet dhe regjistrimet janë më të mira se vjet. Shumica e të regjistruarve janë me një mesatare mbi 7.5”, thotë dekani Sabri Laçi.
Gazetaria, 26 të regjistruar në fazën e parë
Gazetaria, megjithëse me numër të lartë kërkesash, afro 1590, është përzgjedhur nga 26 maturantë në fazën e parë të regjistrimeve në universitet.
Burime zyrtare nga departamenti i Gazetarisë në fakultetin e Histori-Filologjisë, thonë se kjo degë ka shpallur 70 kuota nga të cilat 26 janë tashmë të mbyllura në fazën e parë.
Me hapjen e raundit të dytë të regjistrimeve në universitet, më 15 shtator, mbeten dhe 44 kuota të lira.
Burimet thanë për Gazetasi.al se 26 të regjistruarit në raundin e parë janë maturantë me mesatare të lartë.
Ndërsa universiteti Bujqësor në Tiranë e ka mbyllur fazën e parë të regjistrimeve me një shifër prej 810 maturantësh që kanë zgjedhur të studiojnë në degët e këtij universiteti.
Rektori i Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku thotë se janë dhe 600 kuota të lira për raundin e dytë të regjistrimeve që nis më 15 shtator në portalin U-albania.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.