Ka ndodhur

I dënuar për vrasje, arrestohet 36-vjeçari në Tiranë që lëvizte me armë gati për qitje

Gazeta Si – Një 36-vjeçar është arrestuar në Kamëz, pasi lëvizte me armë zjarri. Policia tha se Erind Mrruku, i dënuar më parë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje, është ndaluar për kontroll, të cilit iu gjetën një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit, municion luftarak, një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, që iu gjetën 36-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesë.

Erind Mrruku ka vrarë në vitin 2010 Fabian Nikajn në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë, vetëm pak metra larg komisariatit të policisë.

Të rinjtë kishin qenë duke diskutuar me tone të larta në një nga lokalet e Shëngjinit, sherri dyshohet se ka qenë një vajzë.

Më pas Mrruku, i cili dyshohet të ketë qenë i shoqëruar edhe nga disa djem të tjerë, ka ndjekur Nikajn me makinë deri në qytetin e Lezhës, ku dhe e ka qëlluar me armë zjarri. Mrruku u vetëdorëzua vetë në polici.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë