Nga Gazeta Si- Raundi i parë i aplikimeve për universitet mbyllet ditën e hënë, me datë 11 shtator, ku më pas maturantët do presin raundin e dytë dhe raundin e lirë.
Pasi kanë kryer aplikimet online, maturantët janë ende në fazën e regjistrimeve për degët ku kanë rezultuar fitues.
Nga 19.612 aplikime, deri më tani rreth 70% e maturantëve e kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke bërë që degët si Mjekësia së Përgjithshme dhe Arkitektura të plotësojnë kuotat që në raundin e parë.
Por, maturantët që nuk kanë fituar, nga data 15 shtator kanë mundësi që të nisin sërish aplikimet për në universitet, duke përzgjedhur 10 degë të preferuara, pasi nis raundi i dytë që do të zgjasë tre ditë.
Nga 15-17 shtator do të ketë aplikime për raundin e dytë dhe portali do jetë hapur 24 orë që maturantët që nuk u regjistruan dot në asnjë program studimi në raundin e parë të aplikojnë në raundin e dytë, së bashku me maturantët që kanë kaluar vjeshtën, notat e të cilëve dolën ditën e premte.
Ndërkohë, pas përfundimit të dy raundeve, nis një fazë e lirë nga data 4 tetor, ku maturantët mund të shkojnë pranë fakulteteve përkatëse dhe të bëjnë kërkesë për regjistrim në bazë të kuotave të lira dhe mesatares.
Më pas janë vetë fakultetet që bëjnë një renditje të brendshme me kuotat e lira që kanë. Vlen të theksohet se kriteret si mesatarja do të vlejnë njësoj si në dy raundet e para.
Degët më të kërkuara kanë mbyllur regjistrimet
Akoma pa përfunduar zyrtarisht procesi e as raundi i parë. Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe Arkitektura nuk kanë më vende të lira. Edhe programet e informatikës, Infermierisë dhe Stomatologjia janë drejt plotësimit të kuotave, bashkë me degët e inxhinierisë dhe informatikës, që kanë qenë degët më të preferuara për këtë vit.
Në total, deri më tani janë regjistruar në shkollat e larta 67 për qind e maturantëve ku Universiteti i Tiranës kryeson për numrin më të lartë të të rinjve të regjistruar, në vendin e dytë është Universiteti i Mjekësisë dhe pas tyre më i kërkuari rezulton Universiteti i Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



