Arsim

Universiteti i Korçës, më shumë studentë se vitin e kaluar, programet e mësuesisë më të kërkuarit

Nga Gazeta Si- Këtë vit, Universiteti i Korçës është optimist për numrin e studentëve të regjistruar deri më tani, akoma pa u mbyllur raundi i parë.

Arto Adili, Zv.Rektor për mësimin, sportin dhe studentët në Universitetin e Korçës thotë për Gazetasi.al se numri i regjistrimeve në lidhje me vitin e kaluar është disi në rritje për programet Bachelor dhe ka një rënie për programet profesionale 2-vjeçare.

Arto Adili, zv.rektor në Universitetin e Korçës.

“Duke folur me përqindje, duke marrë si tregues fundin e raundit të parë, kemi afërsisht 6 për qind më shumë të regjistruar në programet Bachelor në krahasim me përfundimin e raundit të parë të vitit të kaluar”, thotë Adili duke shtuar se programet më të kërkuara për momentin janë Teknologji Informacioni, Infermieri e Përgjithshme, Mami, Financë-Kontabilitet, Edukim Fizik dhe Sporte, Gjuhë Angleze, Menaxhim Biznesi në Marketing, Menaxhim Agrobiznesi dhe Agroushqimi.

Adili thotë se për t’u theksuar janë dhe programet e mësuesisë, në të cilat ka një interesim në rritje këtë vit.

“Në krahasim me vitin e kaluar (raundi i parë) kemi rreth 17% më shumë të regjistruar në to”.

Universiteti “Fan S. Noli”, thotë Adili, si universitet rajonal, përballet me uljen më drastike të popullsisë në 7-8 vitet e fundit (rreth 30% më pak)

“Natyrisht kjo rënie e theksuar popullsie do të reflektohet dhe tek numri i studentëve të këtij universiteti por, duhet të theksojmë se me gjithë këtë rënie popullsie, numri i studentëve në 3 vitet e fundit është konstant”.

Por, Adili thotë se problemi qëndron më afatgjatë. Për shembull, në këtë vit akademik në shkollat e mesme të Qarkut Korçë dhe konkretisht në klasat e 10-ta, ka rreth 7% më pak nxënës në bankat e shkollave në krahasim me vitin e kaluar dhe në shumë gjimnaze, në klasat e 10-ta ka nga një klasë më pak se vitin e kaluar.

“Kjo rënie natyrisht do të reflektohet pas 3 viteve në universitetin “Fan S. Noli”, kohë në të cilën kjo grupmoshë do të shkojë në universitet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë