Arsim

Shpenzimet e universitetit do paguhen nga studentët/ Përcaktohet metodologjia që do të ndiqet për koston e studimeve në mjekësi

Nga Gazeta Si – Përmes një vendimi të publikuar në Fletoren zyrtare, qeveria ka përcaktuar metodologjinë e përcaktimit të kostos së studimeve për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme në institucionet e arsimit të lartë publik.

Në bazë të kësaj metodologjie, Institucioni i Arsimit të Lartë publik, përllogarit, çdo vit, në mënyrë të detajuar, koston e plotë për këtë program studimi. Kostoja e përllogaritur dhe e miratuar nga organet kolegjiale të IAL-së bëhet publike për studentët përpara fillimit të vitit akademik. Kjo kosto do të paguhet nga të gjithë studentët të cilët do të refuzojnë të firmosin marrëveshjen me ministrinë e Arsimit dhe të Shëndetësisë sipas të cilës pas përfundimit të studimeve ata duhet të punojnë deri në 5 vjet punë në spitalet e Shqipërisë që të marrin diplomën.

Në konsideratë do të merren kostot direkte dhe indirekte. Kostot direkte janë të gjitha shpenzimet që parashikohen të kryhen në një vit buxhetor për ofrimin e shërbimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, numrin e kuotave të certifikuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, në vitin përkatës akademik të studimeve, numrin e studentëve për një grup mësimor si dhe numrin e personelit akademik. Po kështu, duhet të llogariten shpenzimet (bruto) për personelin dhe shpenzimet për bursa dhe trajtime të tjera për studentët.

Kostot indirekte përfshijnë shpenzimet kapitale dhe shpenzime të tjera operative, që parashikohen të kryhen nga institucioni i arsimit të lartë si shpenzime për ndërtime dhe rehabilitime të godinave, krijimin e infrastrukturës kapitale për realizimin e procesit të mësimdhënies e të mësimnxënies, sigurimin e infrastrukturës fizike (godinave) dhe të bazës laboratorike e mësimore-didaktike, shpenzime për energjinë elektrike, ujin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve. Shpenzime për kancelari, karburant për ngrohje dhe mjete transporti, shpenzime për shërbime bankare, shpenzime për qira si dhe shpenzime të tjera të institucionit të arsimit të lartë.

Në bazë të këtyre shpenzimeve do të bëhet edhe përllogaritja e tarifës që do të paguajnë studentët e mjekësisë.

“Shuma totale e shpenzimeve të përllogaritura për një vit buxhetor përpjesëtohet me numrin e studentëve që ndjekin programin e studimit, për të vlerësuar koston për student. Institucioni i Arsimit të Lartë publik, përllogarit, çdo vit, në mënyrë të detajuar, koston e plotë për këtë program studimi”, thuhet në VKM-në e publikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë