Drejtësia

‘Gërdeci’, Gjykata pranon kërkesën e Mediut për gjykim të zakonshëm, avokati i familjarëve: Procesi do të zgjasë shumë

Nga Gazeta Si- Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Fatmir Mediut, për t’u gjykuar normalisht dhe jo me gjykim të shkurtuar.

Pas seancës gjyqësore, avokati i familjarëve të Gërdecit, Dorian Matlia, tha se një vendim i tillë shkon edhe në favor në familjarëve pasi me gjykim të zakonshëm zbardhet më mirë ngjarja.

“Procesi do të zgjasë shumë, nuk e di se me çfarë ritmesh do të punojë gjykata.

Fjalën e parë e ka prokurori, i cili do të sjellë listën e provave në seancën e ardhshme, më pas listën do ta sjellë edhe i pandehuri dhe më pas ne do të shohim.

Lëvizja e sotme e Mediut, ishte për të justifikuar kërkesën për gjykim të zakonshëm.  Disa persona të listës ka qenë pjesë e procesit, disa të tjerë jo.

Unë besoj se do të ketë një proces të drejtë. Hera e parë që kjo çështje po merr një ngjyresë juridike.

Ne vazhdojmë të jemi me bindjen që aty ka disa fakte penale që jo të gjitha i përshtatet shpërdorimit të detyrës”, tha avokati.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu kërkoi në Gjykatën e Posaçme thirrjen e 90 dëshmitarëve për llogari të procesit ndaj tij për “Gërdecin”.

Mes tyre, ai kërkoi që të merren në pyetje zyrtarë të lartë të mbrojtjes së DASH dhe qeverive, gjeneralë të NATO dhe ish-ministrat e Mbrojtjes së qeverisë shqiptare.

Ai ka kërkuar që mes dëshmitarëve të jenë ish-zv.sekretari i mbrojtjes së SHBA, ish-ministri i mbrojtjes së  Gjermanisë, së Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, katër gjeneralë të NATO, përfaqësues të SAC, si edhe ish-ministrat shqiptarë Pandeli Majko, Besnik Mustafai, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Mimi Kodheli dhe ish-shefi i SHISH Bahri Shaqiri.

Në këtë gjykatë, ish-ministri përballet me akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, në bashkëpunim dhe “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Dosja “Gërdeci” u riaktivizua pas një kallëzimi në SPAK të familjarëve të viktimave të shpërthimit tragjik, gati 13 vjet pasi Gjykata e Lartë kishte pushuar çështjen ndaj ish-ministrit. Në vijimësi Mediu ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave, duke i konsideruar ato si të motivuara politikisht.

Në seancën e fundit, avokatët e ish-ministrit kërkuan heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar.

Avokatët kanë bërë me dije se në gjykimin e zakonshëm do të kërkojnë ekspertizë të re për shkaqet e shpërthimit, ndërsa do të pyesin dhe dëshmitarë që nuk janë pyetur më herët, e po ashtu personat ndaj të cilëve ka përfunduar hetimi.

Shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 të vrarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë