Nga Gazeta Si- Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe RENEA kanë kryer një operacion kërkim-shpëtimi për rreth 5 orë në ndihmë të 2 turistëve francezë që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, te shpella e Pëllumbasit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, pasditen e djeshme kanë marrë njoftim se 2 turistë kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur, gjatë eksplorimit të natyrës, në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, afër shpellës së Pëllumbasit. Pas disa orësh kërkime, para mesnatës, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 turistët francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak se kishin humbur orientimin dhe nuk kishin më as ujë, as ushqim. Pasi iu kanë dhënë ndihmën e parë, për shkak të terrenit te rrezikshëm, shërbimet e Policisë kanë kërkuar shërbime të specializuara për të nxjerrë turistët nga vendi ku ishin bllokuar.
Në ndihmë të tyre kanë shkuar Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe shërbime të Repartit Special RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e turistëve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe së bashku me shërbimet e tjera të Policisë i kanë shoqëruar me këmbë turistët, deri në vendin ku i priste ambulanca.
Dy turistët janë dërguar në spital, për ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




