Gazeta Si – Një 58-vjeçar ukrainas, Dmytro Chornyi, i cili ishte i dënuar me 25 vite burg në Peru, u arrestua në Tiranë.
Policia bën të ditur se ukrainasi ishte dënuar për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit, dhe si pasojë kanë bërë të mundur arrestimin e 58-vjeçarit, me qëllim ekstradimin drejt Perusë.
“Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i dënuar me 25 vjet burgim, nga autoritetet e Perusë, për trafikim të armëve dhe për krime kundër shtetit, arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve nga shërbimet e Interpol Tiranës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Perusë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 58-vjeçari ishte i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Perusë, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Perusë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




