Ka ndodhur

Po ruanin me armë parcelën me kanabis në malin e Tomorrit, arrestohen babai dhe dy djemtë në Poliçan

125 bimë kanabisi të mbjella në një sipërfaqe toke në fshatin Tozhar në Poliçan kanë vënë në pranga babain me dy djemtë.

Policia bën me dije se 58-vjeçari bashkë me dy të rinjtë u kapën në flagrancë teksa ujisnin bimët e lëndës narkotike.

Mësohet se ata i ruanin këto të fundit të armatosur. Policia ka asgjësuar përmes djegies të gjitha bimët ndërsa janë sekuestruar 3 armë gjahu pa leje.

“DVP Berat, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer me Prokurorinë e Beratit, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Tozhar, Poliçan, nga disa shtetas, finalizuan fazën e dytë të operacionit policor anticannabis, në nivel qarku, të koduar “Tomorri”. Në kuadër të kësaj faze u arrestuan shtetasit H. D., 58 vjeç, F. D., 32 vjeç dhe A. D., 29 vjeç (babai dhe 2 djemtë). 32-vjeçari u kap në flagrancë teksa ujiste bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Tozhar, në bashkëpunim me 2 të arrestuarit e tjerë, 125 bimë cannabis sativa të cilat u asgjësuan nga Policia, nëpërmjet djegies. Nga kontrollet, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan 3 armë gjahu që posedoheshin pa leje, me qëllim ruajtjen e sipërfaqes me bimë narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë është arrestuar dhe pronari i sipërfaqes së tokës.

“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, u kap dhe u arrestua shtetasi G. V., 63 vjeç, aktualisht banues në Durrës, pasi bimët u gjetën të kultivuara në tokën në pronësi të tij, në fshatin Tozhar. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. V., 59 vjeç (vëllai i 63-vjeçarit), banues në fshatin Tozhar, pasi iu gjet në banesë dhe iu sekuestrua si provë materiale, një armë gjahu që posedohej pa leje”, vijon më tej njoftimi i policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë