Ka ndodhur

Turistët polakë të helmuar në Vlorë lënë spitalet. Manastirliu: Ekipet mjekësore ndërhynë në kohë rekord (foto, video)

Gjendja shëndetësore e fëmijëve polakë në urgjencë të helmuar dje në Vlorë, është stabilizuar. Daljen e tyre nga spitali i Vlorës dhe Spitali Memorial i Fierit, e ka konfirmuar edhe ministrja e Shëndetësisë Oberta Manastirliu, e cila ndau foto të turistëve duke u larguar nga ambientet e spitalit. Me kërkesë të institucioneve shëndetësore atyre u është sugjeruar të mos udhëtojnë që sot drejt Shkodrës, për shkak të gjendjes shëndetësore ende të brishtë.

Manastirliu ndërkaq u shprehu mirënjohjen ekipeve mjekësore të Urgjencës së Spitalit Vlorë dhe Spitalit Memorial Fier, për ofrimin e ndihmës mjekësore në kohë rekord, për turistët polakë.

LEXO EDHE:
– Turistët e helmuar në Vlorë, drejtoresha e spitalit: Situata nën kontroll, presim analizat e hetimit
– Helmim masiv në Vlorë, 41 turistë polakë përfundojnë në spital pas udhëtimit me anije. Mes tyre dhe fëmijë

Akomodimi i tyre është marrë përsipër nga operatorët turistikë. Nga urgjenca kanë dalë 22 fëmijët që ishin në gjendje më të mirë mbrëmë. Ndërsa pjesa tjetër e ka lënë urgjencën këtë mëngjes, pasi edhe gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar.

41 shtetas polakë (turistë), janë paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, me simptoma helmimi nga ushqimi. Turistët ishin duke bërë një tur me anijen “Black Pearl” në Sazan dhe dyshohet se kanë konsumuar ushqimin që ofrohej në anije prandaj Autoriteti i Kontrollit të Ushqimeve ka marrë mostrat e ushqimit.

Sipas burimeve, AKU ka gjobitur anijen “Black Pearl” me vlerën e 600 mijë lekëve për mungesë të kushteve higjieno sanitare. Një njoftim zyrtar i AKU i shpërndarë dje informoi se nga gjetjet paraprake ushqimi ka qenë i prishur nga temperatura e lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë