Gazeta Si – Një 23-vjeçar është arrestuar në Kavajë, si një prej personave të dyshuar për sherrin e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës mes dy grupeve, ku një 44-vjeçar me iniciale Z.L., mbeti i plagosur si pasojë e goditjeve me sende të forta.
Policia ka thënë se në pranga ka rënë i riu Danjel Habibi, ndërsa në kërkim është shpallur një i dyshuar tjetër me iniciale Q.B.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:15, të mbrëmjes së djeshme, në lagjen nr. 1, Kavajë ku siç shikohet në videon e siguruar nga Gazetasi.al, 23-vjeçari Danjel Habibi, së bashku me disa shokë të tjerë kanë dhunuar me grushte 44-vjeçarin Z. L.. Ky i fundit ishte brenda në makinë, e ndërsa i riu me disa persona të tjerë e qëllonin me grushte.
Ndërkohë, pasi autorët kanë tentuar që të largohen, një person ka dalë nga makina ku qëndronte 44-vjeçari dhe i është kundërpërgjigjur grupit kundërshtar me grushte.
Si pasojë e dhunës, 44-vjeçari ka marrë plagë në trup, ku është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


