Ekspozite

Ekspozita ‘Lumturi Blloshmi – Nga e Para’ me vepra të paekspozuara më parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ekspozita “Lumturi Blloshmi - Nga e Para” me vepra të paekspozuara më parë do të hapet muajin që vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita vjen e kuruar nga Adela Demetja dhe do të hapet për publikun më 1 shtator.

“Lumturi Blloshmi. Nga e Para” është ekspozita e parë retrospektivë e artistes Lumturi Blloshmi (1944-2020) në Kosovë dhe gjithashtu ekspozita pasuese e prezantimit të saj të suksesshëm në Bienalen e 59-të Venecias si pjesë e pavijonit shqiptar në 2022. 

Galeria Kombëtare e Kosovës është institucioni i parë që e mirëpret këtë ekspozitë retrospektive, akoma më të zgjeruar dhe detajuar të veprave të një ndër artisteve më të rëndësishme shqiptare, duke i prezantuar publikut një pjesë domethënëse të krijimtarisë së saj më shumë se gjysmë-shekullore.

Kuratorja Adela Demetja shprehet se ekspozita synon të prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në kontekstin e historisë së artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet ‘60 deri në vitet 2000, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan”, shprehet në tekstin kuratorial Adela Demetja.

Galeria Kombëtare e Kosovës e nis aktivitetin artistik muajin që vjen me ekspozitën “Lumturi Blloshmi. Nga e Para”, por sipas kuratores Adela Demetja ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumëpërmasore të Blloshmit.

“Duke prezantuar vepra të paekspozuara më parë, ekspozita ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumë-përmasore dhe metamorfozën individuale të Blloshmit”, vijon ajo në tekstin kuratorial.

Paraqitja e ekspozitës gjurmon trajektoren e saj artistike në rend kronologjik, duke nxjerrë në pah temat kryesore: kontekstin individual përmes përvojave personale të Blloshmit që janë bërë frymëzimi kryesor për autoportretet e shumta; kontekstin shqiptar të cilin ajo e analizoi, komentoi dhe e përcolli sistematikisht qoftë përmes peizazheve të viteve 1980, eksodit të viteve 1990 apo tranzicionit politik të viteve 2000; dhe në fund konteksti universal si një interesim për aspektet filozofike dhe shpirtërore të cilat i trajtojnë veprat e viteve të fundit.

“Kontekstet që ushqyen praktikën e saj artistike zbulojnë gjithashtu se si Blloshmi nëpërmjet imagjinatës dhe eksperimentimit, rikrijon në vazhdimësi figurën në mediume të ndryshme për të sjellë atë që ajo e quan ‘një univers të veçantë e të prekshëm’”, shprehet Adela Demetja në tekstin kuratorial.

Ekspozita është realizuar me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Lumturi Blloshmi u lind më 1944 në Tiranë. U diplomua për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve. Ka ekspozuar rregullisht para viteve ’90 dhe me të njëjtin ritëm ka ekspozuar dhe pas tyre, por me të vetmin dallim, që lidhet me realizimin e një numri në rritje të ekspozitave vetjake, si brenda dhe jashtë vendit. U nda nga jeta më 27 nëntor 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë