Ka ndodhur

Qëlloi me kallashnikov në ajër për të kanosur kushëririn, arrestohet 26-vjeçari

Gazeta Si – Një 26-vjeçar, me iniciale E.B., është arrestuar në Durrës, pasi qëlloi me kallashnikov në ajër për të kanosur kushëririn e tij 63-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.

Arma e zjarrit kallashnikov që posedohej pa leje nga 26-vjeçari, banues në fshatin Jubë, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak, u gjetën nga Policia dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi E. B. ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, shtetasin M. B., 63 vjeç, me të cilin ishte konfliktuar për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë