Motosport

Një video fut Vershtapen në telashe, mbi shpejtësinë e lejuar me makinën 3 milionë euro

Gazeta Si – Kampioni i botës në Formula 1 ka tejkaluar limitin e shpejtësisë në një autostradë në Nisë, në timonin e ‘bishës’ së ndërtuar në bashkëpunim me Red Bull. Piloti holandez rrezikon një gjobë.

Vershtapen ne timonin e Aston Martin. Gazeta Si, 21 gusht 2023

Maks Vershtapen në telashe pas një videoje të postuar në rrjetet sociale. Ai shfaqet teksa drejton me shpejtësi një ‘Aston Martin Valkyrie’ afër Nisës. Videoja është postuar nga miku dhe trajneri personal i pilotit, Mark Koks. Piloti i Red Bull-it në atë moment e drejton makinën me 120 km/h, ndërkohë që shpejtësia e lejuar është 90 km/h.

Vershtapen në fakt duket se ka bërë edhe dy shkelje të tjera të kodit rrugor. Ai mban kufje në vesh (në Francë është e ndaluar) për të eleminuar zhurmën e ‘V12 Cosworth’, 1160 kuaj fuqi duke marrë në konsideratë edhe motorin elektrik të bashkangjitur, si dhe bën një parakalim duke hequr dorën e djathtë nga timoni.

Duke qenë se nuk është kapur në flagrancë, holandezi rrezikon një gjobë deri në 750 euro. ‘Valkyrie’, supermakina prej 3 milionë eurosh, është realizuar nga Aston Martin dhe Red Bull. Janë prodhuar vetëm 150 ekzemplarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë